Si Partia Demokratike, po ashtu edhe Partia Socialiste kanë dhënë aprovimin për dhënien e autorizimit pas kërkesës së SPAK për arrestimin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.
Por, dy forcat politike nuk u dakordësuan sa i përket se kur do të miratohet në Kuvend. Opozita kërkoi që SPAK-ut t’i hapet rruga që ditën e nesërme për arrestimin e Ahmteajt, por mazhoranca vendosi që raporti i paraqitur sot në Këshillin e Mandateve do të miratohet të hënën në një seancë të posaçme plenare në Kuvend që do të mbahet në orën 17:00
Opozita prezantoi dhe dorëzoi sot raportin në Këshillin e Mandateve, që u prezantua nga deputeti Gazment Bardhi. Ndërsa, mazhoranca do ta dorëzojë ditën e nesërme.
Bardhi: 5 deputetët e Këshillit për Imunitetin, përfaqësues të opozitës, i rekomandojnë seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të votojë, për miratimin e dhënies së autorizimit, të kërkuar me kërkesën nr. 9431 Prot., datë 07.07.2023 të Prokurorisë së Posacme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar “Për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë, kontrollin personal dhe kontrollin e banesës së deputetit Arben Ahmetaj”, me qëllim për t’i hapur rrugë hetimit të plotë dhe të gjithanshëm në kuadër të procedimit penal nr. 277/1, të vitit 2022 për 3 veprat penale.
Bardhi, në një prononcim për mediat pas mbledhjes, bëri me dije se opozita do të kërkojë mëngjesin e nesërm që të ndryshojë rendin e ditës për t’i dhënë që nesër “dritën jeshile” SPAK-ut që të vijojë me arrestimin e Ahmetajt dhe mos pritet e hëna. Gjithashtu, ai zbuloi se në dosjen e SPAK për Ahmetajn dalin edhe emrat e Damian Gjiknurit, Ermonela Felajt, Fadil Nasufit dhe Baftjar Zeqos.
“Siç besoj e keni transmetuar dhe është mësuar, Këshilli me votë unanime vendosi ti rekomandojë seancës plenare përmbushjen e kërkesës së lirisë, arrestimin dhe kontrollinn e banesës për deputetin Ahmetaj. Opozita sot në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve depozitoi raportin e saj me shkrim. Kërkesa jonë ishte që raporti të shqyrtohej si pikë e parë e rendit të ditës në mbledhjen e nesërme por u vendos në mënyrë arbitrare që të shqyrtohej të hënën. Nesër që në mëngjes do të depozitojmë kërkesë për ndryshimin e rendit të ditës të seancës së nesërme. Çdo vonesë është pengim i drejtësisë.
Disa nga emrat janë bërë publike sikundër disa të tjerë janë të kallëzuar prej nesh. Damian Gjiknuri, Ermonela Felaj, 2 ish kryetarë bashkie, sot deputetë, Fadil Nasufi, Baftjar Zeqo. Kjo organizatë kriminale, pse po veçohen çështjet nga SPAK se duket qartë që ka një qëllim që kjo veprimtari të mos trajtohet si grup i strukturuar kriminal. Mëshirë pë rata që abuzojnë me detyrën e shpërdorojnë besimin e qytetarëve dhe nga të pastrehë bëhen me vila nga veprimtari korruptive, s’ka për të pasur kurrë nga deputetë të opozitës. Avokatët nuk e deklaruan vendndodhjen e Ahmetaj, pohuan komunikimin. Jam i bindur që Prokuroria do e vazhdojë hetimin qoftë për episode të tjera apo zyrtarë apo ish zyrtarë. Kam besim të plotë, dua të besoj që SPAK do e përmbushë pritshmërinë. Ky akt për zv.kryeministrin është vetëm një e dhënë, kemi nevojë për luftë pa kompromis ndaj korrupsionit. Kemi për të krijuar një grup të ri në 313 apo paraburgimin e Durrësit”, tha Bardhi.
Ndërsa, deputeti i Partisë Socialiste Arben Pëllumbi pas mbledhjes së Këshillit të Mandatave u shpreh se do t’i sugjerojnë në seancën plenare autorizimin për arrestimin e Ahmetajt. Pëllumbi u shpreh se ato gjykojnë nëse procedurat janë të rregullta ose jo, por jo për faktet.
“Duhet ti sugjerojë seancës plenare dhënien e autorizimit për prokurorinë që të zhvillohet një proces i rregullt. Duhet të përgatitet mendimi dhe raporti i mazhorancës. Ne sot nuk mund të kishim një raport të parapërgatitur pa dëgjuar palën mbrojtëse. Ne do të përgatisim raportin tonë të cilin do ta dërgojmë në të premten para orës 12:00. Të kuptojmë se këshillit për Mandatet nuk është gjykatë. Nuk jam personalisht, jemi anëtarë të këshillit të Mandateve dhe përfaqësojmë 140 deputetët. Do t’i japim sugjerimin seancës. Gjykojmë vetëm nëse procedura për dhënien e kësaj të drejte është zbatuar apo jo dhe ka apo jo fakte nëse ndaj kolegut tonë ka ndikime politike apo jo. Sa kohë që bindemi nëse procedura është e rregullt apo jo, sigurisht ne kemi qëndrimin tonë për të mos bërë avokatin e askujt.”– tha Pëllumbi.
Në seancën e sotme, u dëgjua mbrojtja e avokatëve të Ahmetajt, ndërsa vlen të theksohet se, edhe pse SPAK kërkon arrestimin e ish-zv.kryeministrit, ky i fundit është larguar nga Shqipëria.
Boldnews