26 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Editorial Kryesore

Pse rritja e pagave është e domosdoshme

Klodian Tomorri

Në periudhën 2001-2005, qeveria e Fatos Nanos i rriti pagat në sektorin publik me 53 për qind. Paga mesatare në shtet kërceu nga 17.2 mijë lekë në muaj që ishte në vitin 2000, në 26.8 mijë lekë në muaj në 2005-ën. Inflacioni mesatar për të gjithë periudhën rezultoi 2.3 për qind.

Në fund të vitit 2006, Ridvan Bode po ashtu nisi një politikë agresive për rritjen e pagave të administratës. Në vetëm 3 vjet paga mesatare në shtet u rrit me 42 për qind nga 28.8 mijë lekë që ishte në fund të 2006-ës në 48.8 mijë lekë në vitin 2009. Inflacioni mesatar për të gjithë periudhën rezultoi 2.85 për qind. Jo më kot populli thotë shpesh se ato ishin kohërat e bollëkut.

Sa herë që një qeveri lajmëron rritje të pagave, në debatin publik nis kënga “O le le inflacioni.” Mendimi i kualifikuar ekonomik na paralajmëron se rritja e pagave do sjellë armagedon inflacionist dhe ccmimet do të dalinjashtë kontrollit. As këtë herë nuk ishte ndryshe. Por numrat janë aty. Në Shqipëri, rritjet e pagave të administratës, edhe kur janë agresive si ato të “kohërave të bollëkut” nuk prodhojnë inflacion. Arsyet se pse janë të qarta.

Së pari, është pesha specifike e administratës në ekonominë kombëtare. Anglezët kanë një shprehje që thotë “size matters”, pra përmasat kanë rëndësi. Vitin e kaluar fondi total i pagave të buxhetit ishte vetëm 3.6 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe bashkë me shpenzimet për kontributet shkoi në 4.3 për qind, kur një dekadë më parë ka qenë 5.2 për qind.

Edhe nëse qeveria do të zbatonte rritje dyshifrore të pagave për punonjësit e administratës sërish ky tregues do të pësonte vetëm një rritje të vogël marxhinale, që sigurisht do të ishte e papaërfillshme për të tronditur kërkesën agregate apo mbinxehur ekonominë kombëtare. Njësoj sikur të rritej fondi i investimeve publike nga 4.5 në 5 për qind e PBB-së.

Së dyti, analizat historike tregojnë se inflacioni në Shqipëri diktohet kryesisht nga tre faktorë të tjerë. Ata janë ccmimet e importit, kursi i këmbimit dhe rritja e taksave. Vitin e kaluar inflacioni kërceu deri në 8 për qind dhe jo se qeveria rriti pagat.

Së treti, edhe në situatën aktuale, inflacioni i brendshëm po udhëhiqet më së shumti nga faktorët e ofertës se sa rritja e kërkesës në treg. Bizneset po përballen me rritjen e kostos së prodhimit, kryesisht për shkak të lëndëve të para që importojnë dhe kostot e shtuara i kanë përcjellë në ccmimet fundore.

Në këto kushte rritja e pagave është një politikë e domosdoshme për të mbështetur konsumin dhe përmes tij prodhimin, por dhe për të kompesuar periudhën e gjatë të stanjacionit të rrogave. Ndaj në këtë panoramë inflacioni është shqetësimi më i vogël.

Ajo që mbetet e diskutueshme është masa e rritjes dhe fazimi në kohë i saj. Një rritje me 35 për qind në vetëm dy vjet duket e sforcuar dhe mund të krijonte presion mbi financat publike. Një fazim më gradual, do t’i jepte më shumë kohë buxhetit të absorbonte koston dhe do t’u mundësonte bizneseve që të faktorizonin më mirë në planet e tyre presionin e përgjithshëm për rritje pagash.

Ndërsa shqetësimet e drejta për implikimet elektorale të rritjes së pagave janë dëmi kolateral. Por administrata duhet ta dijë që rritjet e pagave nuk i financon qeveria, por janë kontribut i gjithë shoqërisë për shërbimin e tyre të përditshëm.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *