Eduard Halimi
📍287 Vendime të Gjykatës së Strasburgut (GJEDNJ) dhe të paktën 8 arsye ligjore pse publikimi i emrave të shoqërive/biznesmenë, dhe personave të dyshuar në dosjen e fundit të SPAK është në shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe Konventave Ndërkombëtare!
Dosja me 320 faqe e një hetimi paraprak ende të papërfunduar nga SPAK që u publikua dhe publikohet çdo ditë nga mediat dhe që është sot në duart e mijëra njerëzve, titullohet “Dosja Imuniteti Ahmetaj”.
Qëllimi i këtij shkrimi nuk është fare dhënia e ndonjë opinioni, as për cilësinë e hetimit, apo faktit nëse ka ose jo dyshime të arsyeshme për të akuzuarit e inceneratorëve dhe ish zv. Kryeministrin! Afër mendsh as të mbrojë a justifikojë veprimet apo mosveprimet as të të akuzuarve!
Ndaj për t’i paraprirë çdo insituate nga lexuesit se jam duke mbrojt këtë apo atë po e theksoj prej fillimit se qëllimi primar është vetëm të analizojë profesionalisht shqetësimin se drejtësia, hetimi dhe gjykimi ndaj gjithkujt në Shqiperi duhet të ecë dhe bazohet në sundimin e ligjit, rule of law, dhe në respekt të plotë të Kushtetutës, Konventës dhe Gjykatës së Strasburgut (GJEDNJ)!
Si profesionist i ligjit prej më shumë se 28 vjet, përfshi eksperiencën me GJEDNJ e di prej vitit te parë të Fakultetit se prezumi i pafajsise prevalon mbi giithçka dhe se barrën e provës e ka prokuroria të vërtetojë dyshimet e saj! Dhe për të, na duhet te presim vendimin përfundimtar të formës së prerë të gjykatave! Pjesa politike pastaj është cështje e politikës dhe jo temë e këtij shkrimi!
Ajo që qartazi është shqetësuese është publikimi në media nga SPAK me emra, mbiemra, emrat e shoqërive të më shumë se 30 personave, të cilët, SPAK, herë i quan jo të panjohur, herë biznesmenë, herë pronarë, herë ortakë, dhe herë administratorë të shoqërive që për SPAK janë herë të dyshuar e herë jo, herë interesantë por që ende nuk kanë një status ligjor sipas Kodit të Procedurës Penale.
Por ama sot janë në faqet e mediave, website, portale e kudo në google duke i kthyer në një stigmë, si të implikuar dhe duke i nxjerrë me foto e emra dhe duke i lincuar e dënuar publikisht ata, kompanitë (ku nuk jane vetëm ata, por kanë ortakë apo të afërm e bashkëpuntorë, të punësuar dhe raporte ndërkombëtare biznesi! Është pikërisht kjo arsyeja e këtij shkrimi!
Nuk kam ndërmend të futem në atmosferën toksike të lincimit publik, dhe as arsyet e mediave e portaleve, që disa i lincojnë e disa jo, pasi interesi im në këtë shkrim është vetëm raporti me të drejtën dhe ligjin dhe jo me veprat penale, të cilat duhet që të presim të gjithë që drejtësia t’i zbardhë, së bashku me aferën e inceneratorëve!
Por a është ky lincim publik ndaj tyre që rrjedh nga dosja e SPAK për dhjetra kompani e biznese me emra e mbiemra (jo iniciale) në përputhje me rule of law, shtetin e së drejtës në këtë moment kur vetë SPAK është vetëm në fillim të hetimit si persona maksmimi të dyshuar (pa status)?
A duhet të publikohen nga SPAK, Policia apo Prokuroria emrat e personave apo kompanive edhe sikur ato të jenë nën hetim? Edhe kur ata dënohen nga gjykatat e shkallës së parë, sërish gjykata nuk e publikon vendimin e plotë, por vetëm të anonimizuar me iniciale pasi kjo është e ndaluar nga legjislacioni yne dhe ai ndërkombëtar!
Po në këtë moment a është ky veprim i SPAK në përputhje me Kushtetutën dhe KEDNJ apo është shkelje e rënde e cila duhet analizuar?
Le të shohim c’thotë Kushtetuta, KEDNJ dhe Gjykata e Strasburgut! Për ta bërë të qartë paraprakisht për lexuesin e thjeshtë, si neni 35/2 i Kushtetutës ashtu dhe neni 8 i Konventës parashikojnë se : Mbledhja, përdorimi dhe bërja publike e të dhënave rreth personit bëhet me pëlqimin e tij, me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj.Pëlqimi i tyre nuk është marrë dhe ligj që lejon policinë/prokurorinë për ti bërë publike nuk ka!
Por ja 8 arsye ligjore pse publikimi përbën shkelje të rëndë të Konventës sipas 278 vendimeve të GJEDNJ ku 74 janë konfirmuar dhe nga Dhoma e Madhe!
1. Publikimi i emrave të plotë të të dyshuarve nga policia, prokuroria apo gjykata evidentohet si shkelje e rëndë nga 287 vendime të Strasburgut. Edhe në rastin kur të dyshuarit janë arrestuar për trafik droge publikimi i te dhënave të tyre është në kundërshtim me nenin 8 të KEDNJ dhe përbën shkelje të rëndë! Në vendimin S. kundër Italisë, Gjykata është shprehur se: “Fakti që një subjekt është objekt i një procedimi penal nuk mund ta kufizojë të drejtën e këtij subjekti për mbrojtjen e të drejtës për një jetë private dhe as të lejoje subjektet e procedimit të publikojnë të dhënat e tij” . Të njëjtin qëndrim, GJEDNJ e ka mbajtur dhe në vendimin K. dhe Të tjerët kundër Rusisë dhe T.. kundër Rumanisë.
2. Edhe nëse publikimi “ka rrjedhur” nga autoritetet, pra nuk vërtetohet se ato e kanë bërë qëllimisht për të arrestuarit, jo më për të dyshuarit, sërish kjo përbën shkelje të rëndë, për aq kohë sa gjykatat apo prokuroria nuk arrijnë të mbrojnë të drejtat e këtyre personave, edhe sikur këta të jenë trafikantë apo terroristë. Një qëndrim i tillë është konfirmuar në vendimin M.D dhe Të tjerët kundër Spanjës, në të cilin, Gjykata është shprehur se: “Kur një zbulim i tillë i paligjshëm i të dhënave ndodh, shteti ka një detyrim pozitiv në respektimin efektiv të jetës private që nënkupton një detyrim për të kryer hetime efektive për të korigjuar çështjen në masën që është e mundur”.
3. Publikimi i të dhënave të të dyshuarve, edhe kur këta të fundit janë të arrestuar, nuk ndihmon hetimin dhe drejtësinë, përveçse dëmton ato dhe përbën rrezik për provat dhe ekspozon pa asnjë arsye proporcionale shkeljen e rëndë të nenit 8. Ky qëndrim është konfirmuar nga Gjykata në vendimin L.L kundër Francës, si dhe në vendimin V. D. kundër Spanjës, vendime në të cilat, është mbajtur qëndrimi se: “Çdo masë, që mund të bëjë publike të dhënat e një individi, pavarësisht nëse ai është palë apo palë e tretë në kuadër të një procesi, duhet të kufizohet …dhe është rreptësisht e ndaluar dhe përbën shkelje të rëndë…”
4. Publikimi i të dhënave të biznesit si i dyshuar, interesant, jo i panjohur, etj. ekspozon kompanitë dhe subjektet ndaj rreziqeve eventuale duke shkelur rëndë parimin e proporcionalitetit. Mjafton këtu të përmendim vendimin Z. kundër Finlandës, në të cilin, Strasburgu ka kërkuar nga autoritetet shtetërore, duke përfshirë prokuroritë apo policitë, detyrimin e mos përmendjes së të dhënave që mundësojnë identifikimin e subjektit.
5. Strasburgu (GJEDNJ) shprehet se shkelja dhe cënimi i një të drejte të njeriut të garantuar nga Konventa është mjaft serioze, dhe ky seriozitet, përsa i takon shkeljes, theksohet dhe më tej kur kemi të bëjmë me publikimin e emrave të personave të tretë, pozita proceduriale e të cilëve nuk është e qartë as për vetë autoritetet (SPAK). Në rastin e fundit pozita proceduriale e më shumë 30 personave e bisneseve është ende e paqartë për vetë autoritetet!
6. Publikimi i të dhënave i personave nën hetim dhe çdo masë, që mund të bëjë publike të dhënat e një individi, pavarësisht nëse ai është palë apo palë e tretë në kuadër të një procesi, duhet të plotësojë një nevojë të rëndësishme dhe duhet të kufizohet sa më shumë të jetë e mundur në atë që është rreptësisht e nevojshme. E kundërta është shkelje e rëndë e ligjit themeltar dhe Konventës. Nën këtë përfundim. Gjykata e Strasburgut ka arritur jo vetëm në çështjen V.D kundër Spanjës, por edhe në çështjet M. kundër Mbretërisë së Bashkuar apo C. kundër Mbretërisë së Bashkuar.
7. Publikimi dhe ekspozimi i të dhënave të biznesit kur autoriteti është ende i paqartë për statusin procedurial dëmton jo vetëm të drejtat e tyre, por edhe ato të biznesit pasi është ende e paqartë nëse veprimet e të dyshuarve i kanë kryer administartorët, ortakët, njerëz të lidhur me ta apo persona ende të paidentifikuar! Shoqëritë tregtare kanë personalitet dhe përgjegjësi të veçantë, ku rolet dhe përgjegjësitë e administratorit, ortakut, aksionerit janë të ndara! Në momentin kur ende janë në fazën paraprake dhe autoriteti (SPAK) është ende i paqartë për pozitën proceduriale, publikimi përbën shkelje të rëndë dhe jo proporcionale.
8. Së fundmi, pra ajo që dua të përcjell është se organet hetimore pavarësisht emrit, të rinj, të vjetër, OPGJ, BKH, prokurorë dhe gjyqtarë janë të detyruar para së gjithash e mbi të gjitha të respektojnë Kushtetutën, Konventën dhe 278 vendimet e GJEDNJ!
Cdo shkelje e Konventës dhe Kushtetutës dëmton jo vetëm të drejtat e individëve dhe sanksionon Shqipërinë nga GJEDNJ, por dëmton hetimin dhe zbardhjen e së vertetës që të gjithë duam e mezi po e presim!