Nën koperturën e akademisë së Manchester Sitit, Korporata e Investimeve Shqiptare, do t’i japë privatit (me koncesion) një sipërfaqe prej 20.7 hektarësh në zonën e Spitallës në Durrës.
Paralelisht me projektin e fushave të futbollit, është vendosur se në këtë sipërfaqe të ndërtohen disa fusha tenisi dhe basketbolli, por fokusi nga ajo që lexohet në dokumente është ndërtimi i bareve, restoranteve apo edhe dyqaneve.
I gjithë kampusi i basketbollit dhe tenisit do të menaxhohet nga privati për 15 vite, madje edhe fitimet do t’i mbajë privati, ku e gjithë zona do të shndërrohet në një qendër të stërmadhe tregtare.
Sipas dokumenteve që ka hulumtuar VoxNews, Fondacioni synon gjetjen e një partneri privat për realizimin e projektit “Projektimin, ndërtimin dhe zhvillimin e Qendrës Sportive Durrës, për sportet e tenisit dhe basketbollit”.
“Partneri i zgjedhur do të angazhohet në financimin, ndërtimin dhe zhvillimin e infrastrukturës sportive, duke garantuar cilësinë dhe standardet e kërkuara për një qendër të nivelit më të lartë dhe në përputhje me detyrimet kontraktore” shkruhet në dokumente.
Sipas saj, partneri privat do të ketë mundësinë të përfitojë nga të ardhurat e krijuara nga funksionimi i kompleksit për një periudhë të përcaktuar, duke marrë pjesë aktive në zhvillimin e një prej projekteve më ambicioze sportive në rajon.

Por, çfarë do të bëhet në atë vend?
Në dokumente shkruhet se do të jenë minimumi 12 fusha tenisi me dimensione zyrtare (rregullat dhe rregulloret ITF), me ndriçim dhe minimumi 30% e tyre sipërfaqe dheu. Do të jenë 6 fusha padel me dimensione zyrtare, do të ketë pishinë për aktivitetet e kampeve apo edhe 1 fushë shumësportëshe.
Mësohet se do të ketë recepsion dhe zyra, 1000 metër katrorë kafe dhe restorant, 2.500 m2 zona e fitnesit apo edhe 500 m2 zona e wellness (mirëqenie). Do të ketë edhe dhoma zhveshje apo edhe një dyqan me 500 m2.
Më shumë i ngjason një qendër të madhe tregtare, në formë sportive, apo edhe organizimit të kampeve për fëmijët apo të rriturit.

Në dokumente shkruhet se procedurë synon përzgjedhjen e një partneri privat për ndërtimin dhe zhvillimin e Qendrës së Tenisit dhe Ambientit Sportiv për Akademinë e Basketbollit brenda Qendrës Sportive të Fondacionit “Dyrrah City Football Academy” në Durrës.
“Partneri privat do të marrë përsipër financimin dhe ndërtimin e infrastrukturës sportive të projektit. Financimi i projektit dhe zbatimi i tij do të kryhet plotësisht nga partneri privat, duke siguruar përfundimin e tij sipas kushteve të kontratës së partneritetit. Partneri privat, në këmbim të financimit të Projektit do të përfitojë të ardhura për një periudhë (operative) jo më të gjatë se 180 muaj (15 vjet), nga aktivitetet sportive, eventet dhe shërbimet e ofruara brenda këtyre hapësirave. Përqindja e të ardhurave do të negociohen midis palëve” thuhet në dokumente.

Mësohet se pozicioni i Dyrrah City Sports Centre është në zonën e Spitallës, ngjitur me bllokun Universitar të Durrësit “Aleksandër Moisiu”.
Korporata ka dhënë edhe informacion mbi pronën, ku saktëson se pronat në atë zonë kanë kaluar për administrim të Akademisë së Futbollit Durrës. Sipërfaqja totale e pronës është plot 207.470 m2, ose 20.7 hektarë apo 207 dynymë.
Ndërkohë, sipërfaqja për projektin do të jetë 80.000 m2, ku i gjithë projekti do të ngrohet në adresën rruga “Miqësia”, Spitallë në Durrës.
Voxnews.al