28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Qeveria “ble” Gjykatën Kushtetuese

Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese do të paguhen 645 mijë lekë ose rreth 6300 euro në muaj. Qeveria ka depozituar në Kuvend një projektligj, i cili dyfishon pagat e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese

“Paga mujore e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese është e njëjtë me shumëzimin e koeficientit 0.96 me pagën e Presidentit të Republikës,” thuhet në nenin 1 të draftit.

Paga e Presidentit të Republikës është 425 mijë lekë në muaj. Kjo do të thotë se paga baza e gjyqtarëve të Kushtetueses do të jenë 408 mijë lekë në muaj. Por qeveria nuk është ndalur me kaq. Përveç pagës bazë, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese përfitojnë edhe një shtesë mujore 58 për qind më pagën.

“Përveç pagës mujore, gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese përfiton një shtesë për shkak të natyrës së veçantë të punës, në masën 58% për qind të pages,” thuhet në draft. Kjo e çon pagën mujore të një gjykatësi në Gjykatën Kushtetuese 644.6 mijë lekë në muaj.

Të njëjtën pagë do të marrin dhe gjyqtarët e kolegjit të Posaçëm të Apelimit, institucionit, që përcakton se kush qëndron në sistemin e drejtësisë dhe kush largohet prej tij.

Për kryetarët e të dy inastitucioneve, KPA-së dhe Gjykatës Kushtetuese ka dhe një shtesë tjetër 20 për qind, që e çon pagën e tyre mujore në 773 mijë lekë.

Ligji i qeverisë për dyfishimin e pagave të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese vjen në një kohë kur kjo gjykatë ka shqyrtuar një sërë çështjesh delikate duke vendosur në favor të qeverisë. Njëra nga më kryesoret është ajo e Portit të Durrësit, për të cilën GJK hodhi poshtë padinë e opozitës dhe vendosi në favor të qeverisë duke e quajtur të ligjshme marrëveshjen e veçantë mes qeverisë dhe kompanisë arabe. Ndërkohë një tjetër çështje ishte dhe ajo e ligjit kontrovers për konfiskimin e ndërtimeve pa leje, ku sërish GJK vendosi në favor të qeverisë.

Por me këtë lëvizje, qeveria ka denatyruar sërish hierarkinë e sistemit shtetëror të pagave, i cili vendos në krye Presidentin e Republikës. Më ligjin ri, paga e gjyqtarëve të Kushtetueses dhe KPA bëhet 52 për qind më e lartë se ajo e presidentit. Ndërsa ajo e kryetarëve të dy institiconeve bëhet gati sa dyfishi i pagës së Presidentit të Republikës.  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *