Qeveria ka lënë totalisht pas dore investimet publike me financim të huaj, teksa për pesë muajt e parë ato ishin gati 6 herë më pak se plani i periudhës. Të dhënat paraprake nga Ministria e Financave tregojnë se në Janar-Maj, investimet me fondet e huaja u realizuan vetëm 3.2 miliardë lekë nga 17.7 miliardë që ishte plani i pesë mujorit.
Nga ana tjetër, investimet publike me fonde të brendshme janë realizuar 2 herë më shumë se plani, duke rezultuar 17.4 miliardë lekë për pesëmujorin.
Shpenzimet kapitale me financim nga jashtë janë kryesisht projekte publike që financohen nga fondet e donatorëve, përmes granteve ose kredive të buta. Por realizimi i tyre kërkon më shumë punë nga administrata si dhe lejon më pak hapësira për abuzime.
Ndërsa për investimet me fondet e brendshme, qeveria dhe administrate kanë më shumë diskrecion mbi mënyrën se si i shpenzojnë paratë, por edhe në zhvillimin e tenderave. Jo rastësisht, rrugët e ndërtuara me financimin e donatorëve kanë një kosto shumë më të ulët se sa ato me fonde të brendshme, për të cilat qeveria nuk jep llogari para donatorëve. Të dhënat zyrtare tregojnë se në mënyrë sistematike, kostot për kilometër, të rrugëve që ndërtohen me fonde të huaja janë shumë më të ulëta se ato me fonde buxhetore të brendshme.
Realizimi me vetëm 18 për qind e planit e investimeve me fonde të huaja dëshmon se institucionet janë më të prirura të shpenzojnë paratë e taksave dhe jo të përfitojnë nga ndihmat që vijnë nga donatorët si Bashkimi Europian, Banka Botërore apo BERZH.