Qeveria do të alokojë 35 milionë euro nga donacionet e qeverisë italiane për tërmetin si investime në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Marrëveshja e dakortësuar me qeverinë italiane është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë për ratifikim.
Sipas projektligjit, paratë do të përdoren për ndërtimin e 2 nënstacioneve të reja elektrike në Tamarë dhe Shëngjin si dhe do të financojnë fuqizimin e 6 nënstacioneve të tjera në qarkun e Shkodrës dhe atë të Durrësit.
Në konferencën e donatorëve për tërmetin shkatërrues të vitit 2019, qeveria italiane angazhoi 5 milionë euro grant dhe 90 milionë euro kredi të buta si ndihmë për Shqipërinë. Qeveria shqiptare, propozoi që nga kjo paketë ndihme, 35 milionë euro të përdoreshin për investime në sektorin e shpërndarjes së energjisë. Ky propozim u pranua nga qeveria italiane.
Prej disa vitesh, sektori i shpërndarjes së energjisë elektrike po vuan mungesën e investimeve për shkak të situatës së vështirë financiare. Ngadalësimi i investimeve është reflektuar ndërkohë edhe tek treguesit e sektorit, veçanërisht në nivelin e humbjeve të energjisë, të cilat po ulen me ritme gati stanjative, shumë më të ulëta se sa ishin parashikuar.
Përmes kredisë së qeverisë italiane, e cila do të ketë një normë interesi 0.5 për qind në vit dhe periudhë mospagimi prej 12 vjetësh, qeveria synon të përmirësojë furnizimin me energji elektrike në disa zona problematike të vendit, siç janë ato në qarkun e Shkodrës, por edhe në Fushë Krujë.