Në tre-mujorin e parë të vitit që vjen, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të hap aplikimet për fazën e dytë të programit të subvencionimit të qytetarëve për vendosjen e paneleve diellore.
Orjon Islamaj, përgjegjës i sektorit të shërbimeve energjitike tha se edhe në raundin e dytë do të pranohen 4 mijë aplikime, nga të cilat do të shpallen fitues vetëm 2 mijë prej tyre.
Fondi i vënë në dispozicion edhe për vitin e ardhshëm përllogaritet të jetë në vlerën e 2 milionë eurove. Nga studio e emisionit “Box to Box” Islamaj u ndal edhe te kriteret që do të aplikohen për pranimin e kërkesave dhe përzgjedhjen e fituesve.
Ky program ju jep mundësinë qytetarëve që të instalojnë panele diellore për ngrohjen e ujit duke mbuluar vetëm 30 për qind të kostos, ndërsa pjesa tjetër, pra 70 për qind e faturës subvencionohet nga Qeveria.
Përmes kësaj skeme, siç sqaroi edhe përgjegjësi i sektorit të shërbimeve energjetike, një familje arrin të kursejë nga 2 mijë deri në 4 mijë lekë në muaj.
Në fazën e parë përfituan 2 mijë familje, kryesisht në Tiranë dhe Korçë.
Scant Tv