Qeveria do të shpenzojë 17 milionë euro për të ndërtuar një hotel 5 katësh dhe një parkim po me kaq kate për spitalin më të madh publik të vendit. Tenderi është shpallur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe ofertat do të hapen në fund të muajit tjetër.
Sipas dokumentave të publikuara në Agjencinë e Prokurimeve Publike, projekti përbëhet nga dy ndërtesa me pesë kate mbi tokë dhe një kat nëntokë, të cilat synojnë t’i japin zgjidhje përfundimtare problemit të parkimit në QSUT, por edhe hotelerisë së pacientëve.
Ndërtesa e parë do të shërbejë si parkim për automjetet me një volum 5 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë. Kjo ndërtesë do të lidhet me ndërtesën e re të mjekësisë së përgjithshme dhe ndërtesën kryesore të urgjencës. Ndërtesa e parkimit pozicionohet në hyrjen kryesore të QSUT-së, në perëndim të ndërtesës ekzistuese të urgjencës.
Ndërtesa e dytë do të jetë hotel dhe pozicionohet në veri të ndërtesës së parkimit e ndarë me një fugë 15 cm. Kjo ndërtesë ka 5 kate mbi tokë për shërbimet e pritjes dhe të logjistikës dhe 1 kat nëntokë që do të shërbejë për ambiente teknike në funksion të hotelit.
Punimet për ndërtimin e dy godinave pritet të zgjasin 2 vjet.