Konsideroni një shembull konkret. Një familje ka një banesë 100 metër katrorë me oborr 500 metër në zonën e Farkës. Deri dje kjo familje paguante rreth 3500 lekë ose 34 euro në vit si taksë pasurie për banesën dhe truallin e saj. Por tani nis malorja fiskale.
Nga muaji i kaluar kanë hyrë në fuqi çmimet e reja të referencës. Ndërsa deri dje, një metër katrorë banesë në zonën e Farkës vlerësohej me çmimin 66.5 mijë lekë, tani vlerësohet 115.2 mijë lekë.
Vetëm si rezultat i rritjes së çmimeve të referencës, taksa e familjes më sipër është rritur në 5800 lekë ose 55 euro në vit, (100*115200*0.05%). Kjo rritje ka hyrë sakaq në fuqi dhe ka nisur të paguhet me faturën e ujit. Por nuk mbaron këtu.
Duke filluar nga viti 2026, shkalla e taksës do të dyfishohet, nga 0.05 për qind që është tani në 0.1 për qind. Si rezultat, taksa vjetore e familjes do të rritet më tej dhe shkon në 11 600 lekë ose 110 euro në vit.
Kjo është vetëm për taksën e banesës. Tani qeveria do të prekë edhe taksën e truallit, duke e shumëfishuar atë. Duke vazhduar me shembullin e familjes më sipër, sot taksa që ajo paguan për truallin është rreth 280 lekë në vit.
Por duke filluar nga viti 2028, formula ndryshon dhe taksa e truallit nuk llogaritet më si fikse për metër katrorë, por shumëzohet edhe kjo mbi çmimin e referencës. Për rrjedhojë taksa për truallin 500 metër rritet nga 280 lekë që është aktualisht në 13 mijë e 36 lekë në vit.
Shikoni çfarë ndodh me taksën që duhet të paguajë kjo familje. Nga 3500 lekë që paguan sot si taksë për banesën dhe truallin e saj, duke filluar nga viti 2028 taksa e saj shkon në 24 600 lekë ose 235 euro në vit. Me pak fjalë taksa rritet me më shumë se 7 herë.
Qeveria justifikohet se në zonat periferike jetojnë të pasurit e komplekseve luksoze. Por taksa nuk do të kursejë as familjet me të ardhura të pakta që jetojnë shumë më parë se sa të lindin komplekset e të pasurve. Me projektligjet dhe nismat që qeveria ka hedhur në publik, taksa e pronës do të jetë gunga e re fiskale në kurrizin e familjeve shqiptare, që do t’u marrë atyre qindra milionë euro taksa shtesë në vit.