28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Qeveria mashtroi/Çmimi i pasaportave dhe kartave nuk ulet pas shtetëzimit

Në fillim të këtij viti qeveria lajmëroi shtetëzimin e prodhimit të pasaportave dhe dokumentave të identifikimit nga kompania franceze Aleat. Ish ministri brendshëm Bledi Çuçi deklaroi se letërnjoftimet biometrike do të prodhoheshin nga kompania shtetërore IdentiTek, ndërsa sqaroi se me kalimin e këtij shërbimi nga privati tek shteti, do të ketë edhe mundësi për rishikimin e çmimit të tyre.

“Politikisht kemi vullnetin për të riparë çmimin në mënyrë që ta ulim atë”, theksoi Çcuçi.

Prodhimi i pasaportave u shtetëzua. Konçesioni i shtrenjtë i francezëve, që u mori shqiptarëve mbi gjysmë miliardë euro përfundoi. Por qeveria nuk i uli çmimet.

Një javë më parë, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj dhe ministri i ri i Rendit, Taulant Balla, firmosën udhëzimin, që përcakton tarifat e reja për pajisjen e qytetarëve me dokumente biometrike. Sipas tabelës së udhëzimit, tarifa për kartat e identitetit mbetet e pandryshuar në 1500 lekë. Po ashtu e pandryshuar mbetet edhe tarifa e pajisjes me pasaportë, 7500 lekë për aplikimin standard dhe 18 mijë lekë për aplikimin e shpejtë.

Burime nga qeveria e justifikojnë mosuljen e çmimeve, që paguajnë qytetarët për letërnjoftimet me faktin se kompania e sapokrijuar shtetërore, IdentiTek, duhet të kryejë investime. Sipas këtyre burimeve, në fazën e parë ishte e pamundur ulja e çmimeve, por qeveria do të marrë në konsideratë uljen e tyre në një fazë të mëvonshme.

Fitime miliadere, tani për shtetin.   

Kompania franceeze Aleat u kontraktua nga qeveria shqiptare për koncesionin ekskluziv të prodhimit të dokumenteve të identifikimit në vitin 2008, fillimisht për një periudhë 5 vjeçare. Marrëveshja e koncesionit u shoqërua me rritje të ndjeshme të çmimeve të pasaportave dhe kartave të identitetit për qytetarët.

Në atë kohë, qeveria e justifikoi koncesionin si një masë të domosdoshme për të plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave dhe rritjen e sigurisë kombëtare. Por në vitin 2013, qeveria e zgjati koncesionin edhe me 10 vjet të tjera pa garë, njësoj si koncesionet e Aeroportit të Rinasit dhe minierës së kromit në Bulqizë.

Për 15 vjet me radhë, Aleat ka qenë një nga ndërmarrjet më fitimprurëse në Shqipëri, duke regjistruar norma fitimi që kanë variuar nga 25 deri në 50 për qind të xhiros. Të dhënat historike tregojnë se për të gjithë periudhën 15 vjeçare Aleat arkëtoi 52.5 miliardë lekë ose gjysmë miliardë euro nga qytetarët shqiptarë për pajisjen e tyre me dokumenta identifikimi. Tashmë që monopoli i kaloi shtetit dhe qeveria nuk i uli çmimet, fitimet marramendëse do të shkojnë në arkën e qeverisë për t;u menaxhuar nga burokratët e shtetit.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *