Qeveria shqiptare dhe kompania gjermane EMS Shbipping kanë zgjidhur me mirëkuptim konfliktin e arbitrazhit për koncesionin e terminalit lindor në Portin e Durrësit. Gjykata Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve ICSID njoftoi zyrtarisht se arbitrazhi për këtë çështje është mbyllur, por pa bërë publike detajet e marrëveshjes së qeverisë me kompaninë gjermane.
Nuk dihet nëse marrëveshja e mirëkuptimit parashikon që qeveria shqiptarë të paguajë para për kompaninë gjermane si kompesim apo të dy palët kanë gjetur zgjidhje të tjera. Në prill të vitit të kaluar EMS Shipping paditi qeverinë shqiptare në Gjykatën e Uashingtonit duke kërkuar 40 milionë euro kompesim nga Shqipëria me pretendimin se qeveria kishte shkelur marrëveshjen koncesionare.
Kompania pretendonte se qeveria shqiptare e kishte trajtuar në mënyrë arbitrare dhe diskriminuese duke i shkaktuar dëme të mëdha financiare në shkelje të marrëveshjes koncesionare duke prishur portin e Durrësit për t’ia falur tokën kompanisë arabe Eagle Hills për të ndërtuar aty port turistik dhe pallate.
Sipas kompanisë gjermane, territori i koncesionit të saj iu dorëzua kompanisë arabe duke çuar automatikisht në mbylljen e operacioneve të saj në Port dhe duke i dhënë praktikisht fund koncesionit edhe pse afati i marrëveshjes është për 35 vjet. Kompania thotë se kishte kërkuar zgjidhje nga qeveria se ku do të zhvendoset koncesioni i saj pasi territori t’i kalojë kompanisë arabe, por nuk mori asnjë përgjigje.
Por qeveria shqiptare ka mbrojtur një tjetër version. Sipas qeverisë, marrëveshja koncesionare është shkelur nga vetë kompania gjermane, e cila nuk ka kryer investimet e detyrueshme që parashikoheshin në kontratë. Paralelisht, qeveria ka pretenduar se cdo kërkesë e EMS për kompesim dëmi financiar ishte e paarsyeshme.