28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Qeveria: Pronarët e tokave të portit në Porto Romano mund të shpërblehen edhe në natyrë

Qeveria u ka bërë thirrje pronarëve të tokave që shpronësohen nga ndërtimi i portit të ri të Durrësit, që nëse duan mund të zgjedhin alternativën e shpërblimit në natyrë. Sipas qeverisë ata që do të zgjedhin këtë opsion mund të kompesohen me pasuri shtetërore në të njëjtën vlerë.

“Me anë të këtij publikimi kërkojmë të vëmë në dijeni personat të cilët preken nga ky shpronësim, për interes publik, për pasuritë e paluajtshme, pronë private, të cilat do të shpronësohen me një pasuri tjetër të paluajtshme, në pronësi të shtetit, se shpërblimi në natyrë kryhet:-nëpërmjet shkëmbimit të pasurisë, pronë private, që shpronësohet me një pasuri tjetër të paluajtshme, në pronësi të shtetit me të njëjtën vlerë me pasurinë që shpronësohet; si dhe-nëpërmjet kombinimit të formës së shpërblimit në vlerë financiare me shkëmbimin në natyrë të pasurisë, pronë private, që shpronësohet me një pasuri të paluajtshme në pronësi të shtetit,” thuhet në njoftimin publik të Agjencisë së Shpronësimeve.

Sipas qeverisë, në çdo rast, shpërblimi në natyrë realizohet vetëm pasi të merret pëlqimi i subjektit që shpronësohet, pëlqimi duhet të jetë unanim nga të gjithë bashkëpronarët të cilët duhet të dakordësojnë midis tyre për shpërblimin në natyrë. Në rast se ky kusht nuk plotësohet, mungesa e dakordësisë për dhënien e pëlqimit për trajtimin me shpërblim në natyrë nga ana e subjektit që do të shpronësohet nuk e pengon vijimine procedurës së shpronësimit, pasi kompensimi i pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private,në këtë rast do të bëhet me vlerë financiare, të parashikuar sipas shpronësimit klasik.

“Përsa më sipër, ASHSH-ja informon të gjithë të interesuarit që preken nga zbatimi i projektit të “Portit të ri tregtar të integruar të Durrësit në Porto-Romano”, për mundësinë e kompensimit të pasurisë në pronësi të tyre që preket nga shpronësimi për interes publik me shpërblim në natyrë me qëllimin informimin mbi mundësinë për trajtimin me shkëmbim në natyrë, në respektim të parimit të shpërblimit të drejtë, duke garantuar transparencë, barazi, mbrojtjen e interesave dhe të të drejtave të tyre pasurore,” thuhet në njoftim.

ASHSH thotë se pronarët e interesuar për këtë formë shpërblimi kanë të drejtë të depozitojnë kërkesën e tyre për shpërblim në natyrë jo më vonë se 20 ditë nga publikimi i njoftimit në Fletoren Zyrtare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *