7 Korrik, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Qeveria rrit taksat e ndërtimit/ Vendosen tarifa për lejet e ndërtimit dhe ato të zhvillimit

Bizneset që do të aplikojnë për leje ndërtimi në Këshillin Kombëtar të Territorit dhe Ujit do të paguajnë tashmë një sërë tarifash të konsiderueshme, që kërkesa e tyre të shqyrtohet. Përmes një vendimi të posaçëm, Këshilli i Ministrave ka miratuar tarifat që do të paguhen pranë KKTU-së nga çdo biznes që aplikon për leje. Në total janë 8 tarifa shërbimesh, të cilat variojnë nga tarifa fikse deri në 1 për qind të vlerës së investimit.

Tarifa e parë është ajo e lejes së zhvillimit. Bizneset që do të aplikojnë për leje në KKTU do të paguajnë një tarifë që është 100 lekë për metër katrorë të sipërfaqes së pronës që zhvillohet. Pagesa e tarifës kryhet pas konfirmimit të vendimit të miratimit të lejes së zhvillimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, brenda 15 ditëve nga lëshimi i faturës nga AZHT-ja

Por tarifa e lejes së ndërtimit është edhe më e rëndë. Sipas vendimit të qeverisë, tarifa për shqyrtimin e kërkesave për leje ndërtimi është 1% e vlerës së investimit, sipas preventivit të paraqitur nga kërkuesi në sistemin e-leje. Pagesa kryhet pas konfirmimit të vendimit të miratimit të lejes së ndërtimit, brenda 90 ditëve nga lëshimi i faturës së arkëtimit nga AZHT-ja.

E njëjta tarifë, po 1 për qind e vlerës së investimit, do të paguhet edhe në rastin e ndryshimit të subjektit zhvillues, kur leja është miratuar më parë me një tjetër subjekt.

Tarifa e katërt është ajo për shqyrtimin e kërkesave për pajisje me leje për strukturë shërbimi në stacionet e plazhit. Kj tarifë do të jetë fiksë në masën 100 mijë lekë.

Tarifa për shqyrtimin e kërkesave për rishikim të kushteve gjatë ndërtimit, ndryshime në projekt gjatë ndërtimit, ndryshim funksioni, si dhe për lëshimin e certifikatave të përdorimit janë tarifa fikse, në masën 300 mijë lekë. Ndërsa tarifa për shqyrtimin e kërkesave për shtyrjen e afateve të lejes së ndërtimit do të jetë 3 milionë lekë.

Përveç këtyre tarifave, vendimi i ri i qeverisë u ofron mundësi bizneseve, që nëse duan të pauajnë më shumë për të shkurtuar kohën e marrjes së leje. Shërbimi i ngjashëm e atë fast track që aplikohet në Kadastër do të kushtoë trefishin e kostos normale.

“Subjektet e interesuara për përfitimin e shërbimeve të përshpejtuara (fast track), të cilat mundësojnë marrjen e shërbimit të kërkuar, brenda gjysmës së kohës së përcaktuar mund të aplikojnë për përftimin e këtij shërbimi, kundrejt pagimit të 3-fishit të vlerës së tarifës,” thuhet në vendimin e qeverisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *