Në fillim të vitit të kaluar qeveria lançoi në publik Anketën e Këshillimit Kombëtar. Një nga pyetjet e konsultimin me qytetarët ishte sa më poshtë:
“Ka njerëz që thonë se ata që kanë fituar statusin e pensionistit, por që vazhdojnë ende të punojnë, nuk duhet të paguajnë kontributet shoqërore. Të tjerë mendojnë që nuk duhet bërë një diferencim i tillë. Si mendoni ju?”
Sipas rezultateve të bëra publike nga vetë qeveria, populli e miratoi nismën për të hequr sigurimet për pensionistët që vazhdojnë ende të punojnë. Por këtë të mërkurrë, qeveria ka miratuar heqjen e sigurimeve vetëm për pensionistët që vetëpunësohen si të vetëm.
Pra, vendimi i Këshillit të Ministrave i heq kontributet vetëm për ata pensionistë që kanë një biznes me vetëm veten e tyre si të punësuar. Pjesa tjetër e pensionistëve do të vazhdojë të paguajë kontributet njësoj si më parë.
Sipas të dhënave të siguruara nga Oligarkia.al me këtë vendim qeveria heq sigurimet vetëm për 5 për qind të pensionistëve që vazhdojnë të punojnë edhe pasi kanë dalë në pension.
Më konkretisht, përmes vendimit hiqen kontributet vetëm për 1400 pensionistët në shkallë vendi që janë të vetëpunësuar të vetëm në bizneset e tyre. Pjesa tjetër, ata që kanë biznes me më shumë të punësuar se veten e tyre si dhe ata pensionistë që janë të punësuar në kompani private do të vazhdojnë të paguajnë sigurimet. Sipas të dhënave zyrtare, këta të fundit llogaritën në mbi 25 mijë në shkallë kombëtare.
Deri tani, e vetmja pikë që qeveria ka përmbushur plotësisht nga rezultatet e Këshillimit Kombëtar është nisma kontroverse për legalizimin e Canabissit industrial dhe mjekësor.