27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Qeveria ul taksën e strehimit social

Ligji i ri për strehimin social ul taksën që paguajnë ndërtuesit për këtë qëllim. Në ligjin ekzistues, kompanitë e ndërtimit ishin të detyruara të jepnin 3 për qind të sipërfaqes ndërtimore mbi tokë në favor të shtetit, për t’u përdorur për strehimin social. Por me ligjin e ri, taksa 3 për qind do të aplikohet për sipërfaqen mbi 2 mijë metër katrorë.

Pra nëse aktualisht një ndërtues, i cili merr leje për një objekt me sipërfaqe ndërtimore 10 mijë metër, ishte i detyruar t’i kalonte shtetit 300 metër sipërfaqes ndërtimore për strehimin social, me ligjin e ri sipërfaqja që duhet të kalojë ulet në 240 metër.

Taksa për strehimin social u vendos në vitin 2018. Por zbatimi i saj ka qenë problematik, siç e pranon dhe vetë qeveria në relacionin bashkëngjitur projektligjit të ri. Një pjesë e bashkive nuk kanë asnjë evidencë se sa sipërfaqe ndërtimore kanë përfituar nga taksa e strehimit social, ndërsa në shumë raste bashkitë kanë preferuar që taksën të mos e marrin në formën e apartamenteve, por në para.

Kjo e ka devijuar qëllimin e kësaj takse dhe në vend që të përdorej për të strehuar familjet me të ardhura të ulëta, marrja në para e taksës thjesht ka mbushur arkën e bashkive. Ndërkohë që sipas vetë qeverisë ka dhe raste kur taksa nuk vilet fare, as në formën e apartamenteve dhe as si para cash.   

Për të shmangur këtë fenomen, në ligjin e ri parashikohen edhe sanksione ndaj kompanive të ndërtimit, të cilat nuk e paguajnë taksën.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *