19 Shkurt, 2025
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

Qiratë ditore në “Booking dhe Airbnb”/ Tatimet nisin verifikimet, apel për deklarimin e të ardhurave

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton se Administrata Tatimore ka nisur bashkëpunimin me homologët holandezë dhe irlandezë për të investiguar me instrumente të specializuara individët që përfitojnë të ardhura nga platformat Booking dhe Airbnb.

DPT u bën apel individëve që për të shmangur penalitetet, të deklarojnë saktë të ardhurat dhe të plotësojnë DIVA 2024 brenda 31 marsit 2025.

Lufta kundër informalitetit në sektorin e turizmit është thelbësore në rritjen e ekonomisë, investimeve dhe eliminimin e konkurrencës së pandershme, thuhet në njoftim.

Gjatë vitit 2024 Shqipëria u vizitua nga 11.7 milionë shtetas të huaj dhe numri i netqëndrimeve për nëntorin pësoi një rritje prej 35,8%. Ndërkohë çmimi i akomodimeve në Jug varionte nga 60 deri në 600 euro nata.

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave vetëm për vitin 2024 u dhanë me qira afatshkurtër më shumë se 24 mijë apartamente dhe u regjistruan rreth 1.28 milionë netqëndrime. Të ardhurat nga ky aktivitet u përllogaritën rreth 85 milionë euro.

Ndryshimet e ligjit për turizmin në vitin 2024 përcaktuan se asnjë subjekt nuk mund të japë dhoma me qira përmes platformave pa licencë përkatëse.

Ekofin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *