27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Qytetarët paguan 20 milionë euro më shumë taksa prone

Rritja e taksave të pronës ka filluar të japë efektet e para në xhepin e qytetarëve. Të dhënat zyrtare nga buxheti i shtetit tregojnë se bashkitë e vendit arkëtuan afro 55 milionë euro nga taksa e pronës, çka përbën shifrën më të lartë në dekadën e fundit.

Referuar të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2023, taksa mbi ndërtesat ka furnizuar njësitë e vetëqeverisjes vendore me afro 13 milionë euro më shumë, duke shënuar një rritje me 31.7 %.

Ndërsa në raport me planin 2024 për 8-mujorin, ka pasur një kapërcim me rreth 20 milionë euro, apo 55.5% më shumë se sa ishte parashikuar.

Nevoja për më shumë të ardhura dhe domosdoshmëria për të shlyer stokun e detyrimeve të prapambetura, por edhe afrimi i zgjedhjeve të përgjithshme, i ka bërë që bashkitë t’i japin më shumë vëmendje vjeljes së taksës mbi ndërtesat ndonëse ende nuk ka nisur aplikimi i taksës sipas vlerës së tregut.

E thënë ndryshe, në 8 muaj, është realizuar 94.5% e gjithë planit vjetor të mbledhjes së kësaj takse, ku në total parashikohet të arkëtohen 5.7 miliardë lekë.

Ndikim në këtë perfomancë ka pasur rritja e çmimeve të referencës në bashkitë kryesore të vendit, por edhe rritja e sipërfaqeve ndërtimore. Peshën më të madhe në mbledhjen e kësaj takse e ka Bashkia Tiranë, ndjekur nga bashkitë në zonat bregdetare dhe njësitë e tjera të mëdha.

Qeveria planifikon përgatitjen e kadastrës fiskale dhe zbatimin e taksimit bazuar në vlerën e tregut për ndërtesat duke filluar nga viti 2026, si dhe zbatimi i taksimit bazuar në vlerën e tregut për parcelat duke filluar nga viti 2028, duke përfshirë plotësimin e kuadrit ligjor dhe rregullator, finalizimin e Sistemit Informativ të Kadastrës Fiskale me ndërveprueshmërinë dhe integrimin me sistemet e tjera, duke adresuar kërkesat e personelit dhe ngritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore.

Scan tv

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *