Qeveria ka miratuar në mbledhjen e fundit statusin e veçantë “Investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special” për kompaninë E & A Investment Vlorë. Vendimi i publikuar në fazen zyrtare të Këshillit të Ministrave saktëson se përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi është ministria përgjegjëse për turizmin.
Kompania E & A Investment Vlorë është themeluar në shkurt të vitit 2022 nga Endi Kollozi, djali ish drejtorit të ALUIZNI-t, Ardian Kollozi. Aktualisht aksionet e kësaj kompanie zotërohen në masën 70 për qind nga Endi Kollozi dhe 30 për qind nga Astrit Hoxha.
Në fund të vitit 2022, kjo kompania ka përfituar lejen e ndërtimit për një kullë 26 kate në Vlorë, që do të shërbejë si hotel. Kulla do të ndërtohet në hapësirën e fundit që kishte mbetur pa u betonizuar në Lungomare.
Hiqen taksat
Por çfarë përfiton në fakt projekti nga marrja e statusit special? Në vitin 2018 qeveria miratoi një paketë ligjore që synonte lehtësime taksash për kompanitë që do të angazhohenin në sjelljen e markave ndërkombëtare në fushën e hotelerisë.
Sipas ndryshimeve ligjore, hotelet me 4 dhe 5 yje nuk paguajnë tatimfitim për një periudhë 10-vjeçare nëse arrijnë që të përfitojnë statusin special.
Po kështu hotelet me status special përfitojnë shkallë të reduktuar të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar 6 për qind për të gjitha shërbimet që ofrojnë. Kjo do të thotë se edhe bar-restorantet, saunat, pishinat, shelzonget dhe çdo aktivitet tjetër i këtyre hoteleve do të taksohet me vetëm 6 për qind TVSH nga 20 për qind që është norma zyrtare.
Ndërkohë që për hotelet e tjera, shkalla 6 për qind e TVSH-së aplikohet vetëm për shërbimin e fjetjes, por jo për restorantet dhe shërbimet e tjera.
Përtej kësaj, hotelet që marrin status special kanë edhe një tjetër lehtësi të madhe. Për të gjithë ata që kanë statusin special si hotele me pesë yje (brand name), taksa e infrastrukturës është zero.