30 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Rama: Në korrik paga mesatare shkon 900 euro, tani do të rrisim edhe pensionet

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në prezantimin e Planit të Motivimit për administratën publike, ku konfirmoi se në muajin korrik paga mesatare do të rritet në 900 euro.

“Në qershor hyn në fuqi rritja e re e pagave dhe kështu të gjithë do të kenë një rritje në pagën e tyre dhe do ta arrijmë objektivin që kemi shpallur që paga mesatare në sektorin publik shqiptar të jetë 900 euro dhe patjetër që paga mesatare në sektorin publik shqiptar do të jetë 900 euro, nuk diskutohet! Qershori është muaji i fundit me këtë pagë që keni dhe me kryerjen e të gjitha procedurave me departamentin, paga e radhës do jetë paga e rritur dhe është në fakt një rritje shumë e konsiderueshme po të marrim parasysh totalin, domethënë, nga vjet në sivjet janë rreth 400 milion në total që janë vendosur për burimet njerëzore, për kapitalin njerëzor” tha kryeministri në eventin që u mbajt edhe në kuadër të “Javës së Administratës Publike”, ku u zhvilluan një seri eventesh dedikuar shërbimit publik.

Por nuk janë vetëm pagat që qeveria po planifikon të rrisë, por edhe pensionet e ulëta. Kryeministri paralajmëroi mundësinë që qeveria të ndërmarë një hap edhe për rritjen e pensioneve duke lënë të kuptohet se pensioni minimal do të jetë mbi 150 euro.

“Ndërkohë që na duhet dhe besoj se këtu jeni dakord që të shikojmë pak më shumë se si të bëjmë edhe pjesën më të vështirë, më sfiduese që është duke filluar nga pensionet më të ulëta, të rrisim mbështetjen për pensionistët sepse kemi një numër të konsiderueshëm pensionistësh që marrin një pension nën 150 euro.

E kam thënë gjithmonë edhe të gjithë na e thonë, edhe të gjithë ekspertët ndërkombëtarë, edhe FMN-ja, edhe BB-ja, edhe CC-ja, të gjithë na e thonë te pensionet bëni kujdes sepse është realisht një peshë shumë e rëndë dhe zonja që mori vlerësimin si kampione në ministrinë e Financave e di shumë mirë se për çfarë po flas.

Ashtu sikundër ajo zonja tjetër me të cilën zonja është e pandarë prej 30 e kusur vitesh, ajo e di, edhe më mirë, – se mirë e dinë të dyja, – po ajo nuk të lë të harrosh as për një moment, qoftë edhe për kënaqësi, të thuash ta mendojmë njëherë, jo, jo. Megjithatë ne jemi duke menduar shumë seriozisht dhe besoj që do të hedhim një hap edhe në atë drejtim” tha më tej kryeministri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *