7 Korrik, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Raporti i institutit italian/ Hotelet bregdetare në Shqipëri kushtojnë gati 70 për qind më lirë se në Itali

Çmimet e hoteleve bregdetare në Shqipëri janë mesatarisht 68 për qind më të lira se sa në Itali. Të dhënat janë bërë publike nga një raport i institutit italian Consumerismo No Profit, i cili ka krahasuar listat e çmimeve aktuale të destinacioneve kryesore bregdetare shqiptare me ato të Italisë.

“Për të fjetur 7 netë në një nga resortet bregdetare më të famshme në Shqipëri, nga data 10 deri më 17 gusht në dhomë dyshe, kostoja minimale fillon nga 114 euro në Vlorë deri në 547 euro në Dhërmi – analizon Consumerismo – Nëse zgjidhni struktura ekskluzive ose luksi, kostoja maksimale arrin në 8092 euro për një vilë 500 m2 në Vlorë, 5950 euro në qytetin e njohur të Himarës. Shifra shumë të ndryshme në Itali: në të njëjtën javë një qëndrim fillon nga një minimum prej 727 euro në Gallipoli, 2,259 euro në Porto Cervo, por mund të arrijë, nëse zgjidhni struktura ekskluzive, deri në 36,511 euro në Amalfi,” thuhet në raport.

Duke krahasuar 6 resorte bregdetare të njohura shqiptare me të njëjtin numër destinacionesh bregdetare italiane, zbulojmë se mesatarisht kursimet, vetëm për artikullin “akomodim”, janë 68.3% në Shqipëri.

Por Shqipëria nuk ka vetëm akomodimin më të lirë sipas raportit. “Për marrjen me qira ditore të një çadre dhe dy shezlongëve në fundjavë në gusht, kostoja mesatare në Itali është midis 30 dhe 35 euro në institucionet e nivelit të mesëm, por mund të rritet deri në 600 euro në ditë në objektet me ekskluzive. Në Shqipëri, për të njëjtat shërbime, shpenzoni rreth 8 euro në Durrës ose Himare, 10 euro në Borsh, 12 euro në Vlorë, 15 euro në Dhërmi dhe maksimum 20 euro në Ksamil, me një kursim mesatar në krahasim me objektet italiane me 61%,” vijon krahasimi.

Madje sipas Institutit Consumerismo No Profit, italianëve u del më lirë edhe kostoja e udhëtimit në Shqipëri se sa ajo e udhëtimeve drejt ishujve të brendshëm.

“Edhe arritja në Shqipëri është më e lirë se lidhjet me ishujt tanë. Fluturimi Romë-Tiranë (nisja 10 gusht, kthimi 17 gusht) fillon nga 96 euro për pasagjer, krahasuar me 181 euro për linjën Romë-Cagliari në të njëjtat data, ndërsa për traget (1 pasagjer me makinë, nisja 9 gusht, kthimi 17 gusht) kostoja është 355 euro për linjën Bari-Durrës, 494 euro në linjën Ankona-Durrës, me një kursim deri në 40.5% krahasuar me koston e lidhjes Civitaveçhia-Olbia në të njëjtat data (597 euro),” thuhet në raport.

Në fund, sipas krahasimit të çmimeve rezulton se Shqipëria ka avantazhe kostoje edhe në ushqim. “Një vakt i plotë me bazë peshku kushton mesatarisht në restorantet shqiptare midis 20 dhe 28 euro për person, krahasuar me 50/75 euro në Itali, me kursime rreth 60% për ata që zgjidhni këtë destinacion,” përfundon raporti i Institutit Italian.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *