Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) konfirmon se sistemet e tij kanë mbetur plotësisht funksionale dhe të paprekura nga kriza e fundit e sistemeve kompjuterike në mbarë botën. Por për shkak të defekteve në vendet e tjera Aeroporti i Rinasit sqaron se mund të ketë ndryshime në oraret e fluturimeve të caktuara.
“Për shkak të ndërprerjeve në aeroportet e vendeve të tjera të prekura, mund të ketë ndryshime në oraret e fluturimeve si për mbërritjet ashtu edhe për nisjet në TIA. Këshillohet që të gjithë pasagjerët të verifikojnë oraret e fluturimit drejtpërdrejt me linjat ajrore ose agjencitë e tyre të udhëtimit përkatës,” deklaroi Aeroporti i Rinasit.
Sipas deklaratës, TIA mbetet e angazhuar për të garantuar sigurinë dhe komoditetin e të gjithë pasagjerëve dhe do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën.
Prej disa orësh bota po përballet me një krizë të paprecedentë kibernetike, shkaku i së cilës mbetet ende i paqartë. Si pasojë e mosfunksionimit të sistemeve kompjuterike në shumë vende të botës, janë ndërprerë një sërë shërbimesh publike jetike, nga bankat tek transporti.