Në Zvicër do të vendoset pagesa e trembëdhjetë për të gjithë pensionistët. Të thirrur në qendrat e votimit të dielën më 3, votuesit zviceranë në fakt thanë po në një referendum të promovuar nga sindikatat me mbështetjen e së majtës. Nisma federale popullore “Të jetosh më mirë pensionin tënd (Iniciativa për pagesën e muajit të 13-të të pensionit)” u miratua nga 58,24% e votuesve dhe nga një shumicë prej 16 nga 26 kantone.
Nisma ruan parimin e një të ardhure shtesë të 13-të në Kushtetutë, por tashmë do t’i mbetet qeverisë dhe Kuvendit të përcaktojnë metodat e sakta të zbatimit dhe financimit të reformës.
Si funksionojnë pensionet në Federatë
Sigurimi i pleqërisë dhe i të mbijetuarve (AVS), shtylla e parë e sistemit të pensioneve, është themeli i sigurimeve shoqërore në Zvicër. Më shumë se 2.5 milionë pensionistë marrin aktualisht një pension AVS, sipas të dhënave të qeverisë.
Sipas të dhënave zyrtare, pensioni i pleqërisë në Zvicer varion nga 1200 deri në 2450 euro në muaj. Por nismëtarët e referendumit thonë se, këto të ardhura nuk mjaftojnë për një jetesë dinjitoze, ndaj pagesa e 13-të është bërë “e domosdoshme” për një numër në rritje pensionistësh që po luftojnë për të përballuar jetesën për shkak të rritjes së çmimeve.
Përqindjet më të larta të votave në favor të propozimit të reformës u regjistruan në kantonet Jura (mbi 82% Po), Neuchâtel (78%), Gjenevë (75%) dhe Vaud (74%). Në Ticino votat “Po” janë 71%.
Shoqata e pensionistëve Avivo e përshkroi votimin si një sukses dhe tha se ishte një “ditë historike për pensionistët”. Sindikata zvicerane foli gjithashtu për një rezultat “të qartë” dhe bëri thirrje që reforma të zbatohet shpejt.
Kritikët e së djathtës dhe Economiesuisse
Në frontin e kundërt, partitë e djathta dhe Economiesuisse, organizata ombrellë e ekonomisë zvicerane: “do të duhet të gjejmë zgjidhje për financimin në një situatë ku gjithnjë e më shumë njerëz kanë të drejtë për këtë pension dhe më pak të rinj kontribuojnë,” tha drejtoresha e Economiesuisse Monika Rühl në radion zvicerane.
Qeveria dhe shumica e parlamentit ishin kundër propozimit. Gjithashtu sot u anulua referendumi i dytë për sistemin e pensioneve. Teksti që propozonte rritjen e moshës së pensionit duke e përshtatur atë me jetëgjatësinë u hodh poshtë nga 74.7% e votuesve.