29 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Rekord historik çmimi/Kriza e vajit të ullirit alarmon SHBA-të

Ari i lëngshëm mund të jetë po aq shqetësues sa ari i zi. Vaji i ullirit, është kthyer në produktin më të fundit në qendër të rritjeve shqetësuese të çmimeve.

Falë thatësirës në Mesdhe, e cila dëmtoi të vjelat nga Spanja në Itali dhe Greqi, si dhe shkurtimeve në eksportet e Turqisë, çmimet kanë përjetuar rritje të jashtëzakonshme në shkallë globale.

Raporti i SHBA
Rritja e çmimit të vajit të ullirit ka shqetësuar edhe Departamentin Amerikan të Bujqësisë: një studim i fundit nxjerr në pah se si çmimet janë rritur me 130% vitin e fundit deri në gusht. Dhe në shtator arritën një rekord prej 8900 dollarë për ton. Rekordi i mëparshëm daton në vitin 1996 me 6,242 dollarë për ton.

Kompania e inteligjencës së tregut Mintec ka llogaritur se Spanja, prodhuesi kryesor në botë që përbën 45% të eksporteve globale, prodhoi vetëm 610,000 ton sezonin e kaluar – një rënie prej 50% krahasuar me prodhimin tradicional.

Mungesa dhe rritja e çmimeve janë të tilla që kanë gjeneruar valë vjedhjesh: ndër to, 50 mijë litra vaj ulliri ekstra të virgjër të vjedhur nga një fabrikë vaji në fund të gushtit. Vlera e parashikuar? Rreth 450,000 dollarë.

Rënia e prodhimit botëror
Departamenti i Bujqësisë i Uashingtonit, në përditësimin e fundit, vlerësoi se prodhimi global i vajit të ullirit u reduktua me një të katërtën në të gjithë periudhën 2022-2023, në 2.5 milionë tonë. Ky raport parashikoi presione edhe në periudhën 2023-2024, të cilat mund të vazhdojnë të përkeqësojnë spiralen e çmimeve.

Qeveria e SHBA-së thekson veçanërisht, në rrënjë të kësaj dinamike, rolin e luajtur nga klima “jashtëzakonisht e thatë” në pjesën më të madhe të rajonit të Mesdheut. Një realitet, që sipas raportit “nuk tregon shenja” ndryshimi.

Turqia ishte një përjashtim: ajo raportoi prodhim të jashtëzakonshëm. Por për të garantuar furnizimet e brendshme dhe për të lehtësuar presionet e çmimeve, Ankaraja ka ndaluar një sërë eksportesh me shumicë, duke komplikuar kushtet e tregut ndërkombëtar.

Importet amerikane të vajit të ullirit janë të rëndësishme dhe shpjegojnë fokusin në tensionet e tregut: ato zakonisht përfaqësojnë rreth 30% të tregtisë globale të këtij produkti. Një përqindje që mund të rritet në 35% këtë vit dhe 37% vitin e ardhshëm.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *