Energjia e prodhuar nga centralet diellore ka regjistruar një rekord historik gjatë vitit të kaluar. Të dhënat më të fundit nga Enti rregullator i Energjisë (ERE) tregojnë se në 2024 në total nga këto burime u gjeneruan 489 367 mWh. Kjo shifër zë rreth 16% ndaj totalit të prodhimit që arriti në 7,836,625 mWh, ku pjesën kryesore e zënë hidrocentralet.
Rritja e prodhimit ka ardhur si pasojë e shtimit të numrit të centraleve fotovoltaike. Gjatë vitit 2024 numri i centraleve të prodhimit të energjisë nga dielli ishte 40, kundrejt 20 të tilla që ishin në fund të vitit 2023.
Sipas të dhënave nga ERE, vitin e kaluar nisi prodhimin centrali fotovoltaik i Karavastasë, që gjeneroi në total 258,383 mWh, ose më shumë se gjysmën e të gjithë prodhimit diellor në vend. Parku fotovoltaik i Karavastasë, një investim nga kompania franceze Voltalia, është më i madhi diellor në Ballkanin Perëndimor, me kapacitet prej 140 megavat, i shtrirë në një sipërfaqe prej 198 hektarë.
Energjia diellore paraqet rëndësi në drejtim të diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë, duke qenë se aktualisht vendi ynë është i varur nga burimet hidrike. Ndërkohë, edhe viti 2025 ka nisur me një numër të lartë kërkesash nga kompani vendase për ndërtimin e parqeve fotovoltaike.