Italia, Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nënshkruan të mërkurën një marrëveshje me vlerë të paktën 1 miliard euro për të ndërtuar një lidhje nënujore për energjinë e rinovueshme në Detin Adriatik.
“Ne besojmë fuqishëm në këtë projekt që përfshin tre qeveritë tona, si dhe sektorin tonë privat dhe operatorët e rrjetit,” tha kryeministrja italiane Giorgia Meloni ndërsa shpalli marrëveshjen në Samitin Botëror të Energjisë së Ardhshme në Abu Dhabi.
Partneriteti trepalësh, i cili synon të prodhojë energji të gjelbër në Shqipëri dhe ta eksportojë atë në Itali përmes kabllove nënujore, do të përfshijë operatorin italian të rrjetit Terna dhe Kompaninë Kombëtare të Energjisë së Emirateve të Bashkuara Arabe (Taqa), tha kryeministri shqiptar Edi Rama.
Kryeministri shqiptar shtoi se infrastruktura do të lidhë portin shqiptar të Vlorës me rajonin jugor italian të Pulias, pika më e ngushtë mes dy vendeve dhe pritet të funksionojë brenda një maksimumi tre vjetësh.
Projekt i hershëm
Në vitin 1979, inxhinieri shqiptar Sotir Andrea kreu një studim “Mbi mundësinë e lidhjes të sistemit energjetik 220 KV shqiptar, me atë të Italisë” . Rrjeti do të përdorej kryesisht për eksportin e energjisë elektrike, nëpërmjet detit Adriatik, me anë të një kablli me rrymë të vazhdueshme.
Gjatë dekadave të fundit idea është riaktivizuar disa herë, por deri tani gjithçka ka mbetur në letër. Megjithatë burime brenda qeverisë thonë se këtë herë projekti është diskutuar gjerësisht mes dy kryeministrave dhe Meloni ka dhënë dakortësinë për fillimin e tij.
Burime zyrater nga OST thanë për Kapitalin se brenda pak ditëve do të nënshkruhet marrëveshja e mirëkuptimit mes dy operatorëvë kombëtar të transmetimit, OST-së dhe TERNA-s për t’i hapur rrugë studimit të fizibilitetit. Sipas tyre, pas studimit të fizibilitetit do të përcaktohet edhe skema, por dhe burimet e financimit të veprës.
Burimet e reja
Ndërtimi me shpejtësi i burimeve të reja të energjisë e kanë bërë të domosdoshme ndërtimit e linjave të reja të transmetimit të energjisë. Prodhuesit privat shqiptar të energjisë elektrike do të kishin më shumë akses në tregjet europiane për të shitur energjinë.
Aktualisht Shqipëria ka linja transmetimi me Greqinë, Malin e Zi dhe atë të Maqedonisë në progres, por ndërtimi i një linje më Italinë do t’u jepte mundësi prodhuesve shqiptar të kishin akses në një nga tregjet më të mëdha energjetike në Europë.
Megjithatë deri tani gjithçka është ende në fazën e diskutimeve paraprake. A do të avancojë projekti për ndërtimin e linjës këtë herë, ndryshe nga e kaluara kur mbeti gjithmonë në letër për shkak të kostove të larta. Kjo mbetet për t’u parë por shumë ekspertë thonë se këtij investimi i ka ardhur koha.