5 Janar, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

“Rikthimi” i hekurudhës”, 6 projektet që po ringjallin transportin me tren

Scan 

Me 3 projekte në zbatim, sektori hekurudhor ishte në qendër përgjatë vitit 2024, ndërsa viti 2025 pritet të shënojë avancimin e tyre, si dhe nisjen e projektimit për 3 linja të reja, duke synuar ringjalljen e transportit me tren për qytetarët dhe mallrat.  

Projekti më i avancuar është linja hekurudhore Tiranë – Durrës dhe ndërtimi i degëzimit të ri drejt aeroportit të Rinasit. Deri në fund të vitit 2024 volumi i punimeve arriti në 80%, ndërsa u siguruan fondet edhe për ndërtimin e 8 stacioneve të kësaj linje hekurudhore.

Qeveria do të marrë 40.7 mln euro kredi shtesë për projektin e hekurudhës Tiranë – Durrës dhe degëzimin e ri drejt aeroportit të Rinasit. Në kuvend ka mbërritur marrëveshja e huasë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që aktualisht ka akorduar edhe një kredi tjetër për këtë projekt me vlerë 36.87 mln euro. Së bashku me kredinë e re, vlera e huasë që do të merret nga BERZH arrin në 77.57 mln euro.

Shtesa e huasë do të shërbejë për ndërtimin e tetë godinave të stacioneve hekurudhore dhe sistemimin e shesheve të jashtme përgjatë linjës ekzistuese Durrës-Tiranë dhe të linjës së re që do të ndërtohet për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, me vlerë rreth 10.5 milionë euro. Po ashtu, do të bëhet financimi i shtesës se kontratës së punimeve, si pasojë e indeksimit të çmimeve të materialeve të ndërtimit, me vlerë rreth 29 milionë euro, si dhe financimi shtesë i kontratës së mbikëqyrësit të punimeve, me vlerë 1.2 milionë euro, si pasojë e zgjatjes në afat të kontratës ekzistuese dhe shtesës së kontratës së re për ndërtimin e godinave të stacioneve. Në dokument specifikohet se afati i zbatimit të projektit është data 31 gusht 2025.

Projekti fillestar për rehabilititmin e kësaj linje hekurudhore, përveç kredisë së BERZH bashkëfinancohet nga një grant i Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor, në vlerën 35.44 mln euro dhe një granti të BERZH prej 1.1 mln euro.

Gjatë vitit u bë me dije se po synohet gjetja e fondeve për rikthimin e trenit te Bulevardi i ri, si dhe për elektrifikimin e kësaj linje hekurudhore. 

“Rehabilitimi i linjës Tiranë – Durrës dhe ndërtimi i linjës së re Kthesa e Kasharit – Rinasit është projekti kryesor.  Aplikimi i parë është bërë për 34 km nga kthesa e Kamzës në Durrës. Kemi identifikuar nevojën të shtohen 4 km nga Kashari në Bulevardin e ri dhe do të përfshihen në këtë projekt. Hekurudhat e reja do të operjnë me elektricitet. Duke qenë në përafrim të plotë të kërkesave të BE për transportim me “zero” emetime. E gjitha kjo kërkon një flotë të re, të transportit hekurudhor. Kosto totale e elektrifikimit është vlerësuar 21 mln euro, financimi i këtij projekti do të në vijimësi të këtij projekti, pra do të jetë një paketë e plotë, që do të ndikojë sigurisht edhe një flotë totalisht të re”, – tha Balluku.

Teksa punimet në këtë linjë hekurudhore kanë nisur para disa vitesh, sirena e parë e trenit parashikohet të dëgjohet në vitin 2026.

Nga Komisioni i Veprimtarive Prodhuese zv. ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj foli për ecurinë e projekteve hekurudhore, duke i dhënë përgjigje interesit mbi nisjen e ofrimit të shërbimit për qytetarët.

Nisja e operimit do të shkurtojë ndjeshëm distancën nga Tirana në Durrës dhe anasjelltas, ndërsa udhëtimi me tren parashikohet të zgjatë 22 minuta.

Përveç reduktimit të kohës së udhëtimit, përfitimet nga operimi i linjës hekurudhore Tiranë – Durrës pritet të jenë të mëdha.

Sipas raportit teknik “Një vlerësim i qëndrueshëm i aseteve të hekurudhës Tiranë – Durrës”, i realizuar nga Instituti Ndërkombëtar për Zhvillim të Qendrueshëm, përfitimet kumulative neto për një periudhë 30- vjeçare përllogariten në 270.34 mln euro, duke zbritur kostot e investimit. Kjo duke marrë në konsideratë të ardhurat që do të sigurohen nga operimi i hekurudhës, si dhe kostot që shmangen në drejtim të shëndetit, kohës së kursyer, mjedisit, emetimeve të dioksidit të karbonit apo kostove të operimit të automjeteve. Sipas raportit, vetëm kursimet që do të vijnë nga kostot e funksionimit të automjeteve, që rrjedhin nga shmangia e shpenzimeve të mirëmbajtjes dhe përdorimit të karburantit, për periudhën 2024 -2053 vlerësohen në 96.79 mln euro. Po ashtu, raporti vlerëson se hekurudha do të çojë në rritjen e të ardhurave të qeverisë përmes blerjes të tarifave sipas përdoruesve të transportit, në vlerën 8.67 milionë euro, teksa të ardhurat kumulative nga punësimi që do të gjenerojë hekurudha arrijnë në 38.41 milionë euro. Gjithashtu, vënia në operim e kësja linje hekurudhore do të përmirësojë kushtet e trafikut dhe do të rrisë efikasitetin e lëvizjes në Shqipëri, teksa përfitimet në këtë rast përllogariten në 44.39 milionë euro, përgjatë periudhës 30 – vjeçare.

Përfitimet do të jenë të shumta edhe nga pikëpamja mjedisore.

Rezultatet e raportit tregojnë se kursimet kumulative mjedisore arrijnë në vlerën 32.08 milionë euro, ndërsa reduktimi i emetimeve të dioksidit të karbonit, në 19.56 mln euro. Kjo si pasojë e reduktimit të përdorimit të automjeteve, duke zgjehdur trenin sim jet transporti. Ndërkaq, sa i takon përfitimeve shëndetësore, edhe ato janë të lidhura me përmirësimin e cilësisë së ajrit, si pasojë e reduktimit të emetimeve të dioksidit të karbonit, si dhe me reduktimin e aksidenteve në rrugë, duke sjellë dhe ulje të shkallës së vdekshmërisë. Përfitimet neto shëndetësore arrijnë në 44.93 milionë euro, ndërsa kostot e shmangura nga aksidentet përllogariten në shumën 41.61 milionë euro.

Një tjetër projekt që avancoi ndjeshëm gjatë vitit 2024 është hekurudha Vorë – Hani i Hotit. Gjatë gjithë vitit pati një sërë zhvillimesh në drejtim të marrjes së grantit të akorduar nga Bashkimi Evropian dhe kredive nga BERZH dhe BEI, ndërsa në fund të vitit u hap zyrtarisht tenderi për ndërtimin e saj.

Tenderi është hapur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ndërkohë që Balluku ndau detajet e projektit, që do të lidhë me hekurudhë Shqipërinë me Malin e Zi.

I pranishëm në ceremoni ishte edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në vendin tonë, Silvio Gonzato, i cili tha se ndërtimi i kësaj hekurudhe do t’i shërbejë jo vetëm lëvizjes së qytetarëve, por edhe zhvillimit të turizmit dhe uljes së emetimeve në ajër.

Punimet për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë – Hani i Hotit parashikohet të përfundojë në fund të vitit 2030, ndërkohë që koha mesatare e udhëtimit pritet të jetë 2 orë. Me ndërtimin e kësaj linje hekurudhore pritet një fluks prej 2.3 mln udhëtarësh/vit dhe volum mallrash prej 900 000 ton/vit.

Punimet kryesore do të përfshijë modernizimin e rreth 120 km rrugë të përhershme midis Vorës dhe Hanit të Hotit për të arritur shpejtësi maksimale operimi 100–120 km/orë.

Punimet do të përfshijnë zgjerim deri në 6.6 m dhe forcim të formacionit, zëvendësim ose rehabilitim të rreth 12 urave kryesore, plus urave dhe kanaleve të tjera të vogla, si dhe zgjerim dhe modernizim të tunelit të Lezhës. Po ashtu, do të kryhet ndërrimi i superstrukturës, si dhe ndërtimi, zëvendësimi ose rehabilitimi i rreth 13 stacioneve. Gjithashtu, parashikohet instalimi i nivelit 1 të Sistemit Evropian të Kontrollit të Trenave, ndërtimi i një qendre qendrore të kontrollit të trafikut dhe sistemeve të tjera të transferimit të të dhënave. Paralelisht, punimet do të përfshijnë konsolidimin e rreth 54 vendkalimeve në nivel, ndërtimin apo rehabilitimin e nevojshëm të rrjetit rrugor local, si dhe masat zbutëse mjedisore.

Një komponent tjetër i projektit është edhe elektrifikimi që do të përfshijë procesin e elektrifikimit të rreth 120 km të linjës kryesore dhe një numër të kufizuar km të linjave dytësore. Këtu përfshihet lidhja e linjave të trenit me rrjetin e tensionit të lartë 110 kV; ndërtimi i deri tri nënstacioneve, instalimi i sistemit të katenarisë ajrore për furnizimin me energji elektrike me tension 25 kV dhe frekuencë 50 Hz AC, etj.

Sikurse hekurudha Tiranë – Durrës – Rinas, edhe rehabilitimi i hekurudhës Vorë – Hani i Hotit parashikohet të sjellë një sërë përfitimesh në drejtim transportit të pasagjerëve, mallrave, por edhe mjedisit.

Një raport i Komunitetit të Transportit thekson se ndërtimi i linjës së re dhe elektrifikimi i saj synon të krijojë kushte më të mira për zhvillimin e shërbimeve të pasagjerëve dhe mallrave, të përmirësojë kapacitetin e transportit, si dhe zhvillimin e transportit multimodal dhe intermodal në Shqipëri dhe në rajon. Në kuadër të ndërlidhjes, dokumenti thekson se synohet përmirësimi i lidhjes me fqinjët, duke qenë se aktualisht kjo është e vetmja lidhje kufitare hekurudhore shqiptare, si dhe integrimi i saj në rrjetet hekurudhore rajonale dhe të Bashkimit Evropian. Ndërkaq, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si një nga kreditoret e projektit e vë theksin te përfitimet mjedisore dhe sociale, që do të sjellë zbatimi i tij. BERZH thekson se ai do të mundësojë promovimin e zhvendosjes nga transporti rrugor, në atë hekurudhor, duke reduktuar varësinë nga modelet e transportit me emetime të larta. Sipas bankës, kursimet e dyoksidit të karbonit do të reduktojnë emetimet e përgjithshme të gazeve me efekt serrë dhe do të ofrojnë një alternativë më të pastër për komunitetin dhe bizneset shqiptare.

Kosto totale për rehabilitimin e hekurudhës Vorë – Hani i Hotit përllogaritet në 373.15 mln euro, ndërkohë që struktura e financimit për këtë projekt ndahet midis kredive të dhëna nga BERZH dhe Banka Evropiane Investimeve, një granti të Bashkimit Evropian dhe mbulimit të TVSH-së nga buxheti i shtetit. Granti i BE-së kap vlerën e 137.9 mln euro, kredia e BERZH, 98.75 euro, ndërsa kredia e BEI, 120 mln.

Vlerësimi për çmimin e biletës si për udhëtarët, ashtu edhe për transportin e mallrave nuk është ende gati, por kostot pritet të jenë tejet të favorshme.

Paralelisht, ndërtimi i kësaj hekurudhe parashikohet të rrisë punësimin.

Viti 2024 shënoi zhvillime të rëndësishme edhe në drejtim të korridorit VIII hekurudhor që lidh Portin e Durrësit, me Maqedoninë e Veriut. Kjo linjë u bë pjesë e rrjetit kryesor transevropian të transportit, që njihet ndryshe si TEN- T, ndërsa Komisioni Europian akordoi një grant prej 65 mln euro, për segmentin nga Durrësi në Rrogozhinë.

Rehabilitimi i korridorit VIII hekurudhor, që nis në Durrës dhe përfundon në Pogradec kërkon 400 mln euro. Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor ka bërë një vlerësim të kostove totale dhe ecurisë së projektit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke rikonfirmuar mbështetjen e Bashkimit Evropian për këtë projekt infrastrukturor. Sipas dokumentit të publikuar, për të 2 shtetet nevojitet një vlerë investimi prej 2 mld euro, nga të cilat 1.6 mld euro për pjesën maqedonase. Aktualisht Bashkimi Evropian ka miratuar grante në vlerën e 367 mln euro, nga të cilat 302 mln për Maqedoninë e Veriut dhe 65 mln euro për Shqipërinë. Gjatësia totale e hekurudhës në të 2 vendet arrin në 593 km, teksa në territorin shqiptar gjatësia është 153.8 km. Segmenti i parë, që është ai mes Durrësit dhe Rrogozhinës dhe për të cilin është aprovuar granti nga Bashkimi Evropian, ka një gjatësi prej 33.5 km. Ndërkohë që, segmenti tjetër nga Rrogozhina në kufi me Maqedoninë e Veriut ka një gjatësi prej 120.3 km. Ndërkaq, Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor rendit një sërë rezultatesh dhe përfitimesh që do të vijnë nga rehabilitimi apo ndërtimi i Korridorit VIII hekurudhor, që do të lidhë portet e Italisë, me Bullgarinë në portet e Varnës dhe Burgasit. Sipas dokumentit rehabilitimi dhe plotësimi i segmenteve që mungojnë do të shkurtojë distancat, do të rrisë sigurinë e udhëtimit dhe do të reduktojë emetimet e ndotësve në ajër që vijnë nga transporti.

Edhe kjo linjë do të jetë elektrike, ndërsa gjatë vitit 2024 Hekurudha Shqiptare hapi tenderin, për projektin e elektrifikimit.

Procedura është hapur në faqen e prokurimeve publike të Bashkimit Evropian, teksa projekti financohet përmes një granti nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor. Sipas të dhënave të publikuara, konsulenti do të duhet të kryejë matje në terren ndërmjet Durrësit dhe Pogradecit, duke bashkëpunuar me entin prokurues dhe autoritetet përkatëse kombëtare dhe vendore. Ndërkohë që, projekti do të duhet të jetë gati brenda 12 muajsh nga nënshkrimi i kontratës.  Për këtë linjë hekurudhore pak kohë më parë dhe Banka Evropiane e Investimeve njoftoi se po ofron mbështetje teknike për përgatitjen e projektit në segmentet Durrës – Rrogozhinë dhe Rrogozhinë – Pogradec. Linja hekurudhore e projektit të rehabilitimit ndjek atë ekzistuese dhe pas përfundimit të punimeve parashikohet që trenat të kenë një shpejtësi 120 kilometra/orë.

Gjithashtu, gjatë vitit 2024 avancuan procedurat për kredinë që do të akordojë BERZH për ndërtimin e segmentit nga Durrësi në Rrogozhinë.

Huaja ka një vlerë prej 30 mln euro, teksa financimi do të përdoret për rehabilitimin dhe elektrifikimin e kësaj linje hekurudhore, që ka një gjatësi prej rreth 34 km ndërmjet Durrësit dhe Rrogozhinës. Kosto totale përllogaritet në 120.5 mln euro, ndërkohë që projekti do të bashkëfinancohet nga Banka Evropiane e Investimeve dhe nga Bashkimi Evropian, që ka akorduar një grant përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (“ËBIF”).

Linja hekurudhore e projektit të rehabilitimit ndjek atë ekzistuese dhe pas përfundimit të punimeve parashikohet që trenat të kenë një shpejtësi 120 kilometra/orw.

Por, teksa këto projekte hekurudhore financohen me fonde të huaja, 3 projekte të tjerë do të kërkojnë financim të brendshëm për t’u realizuar, pasi nuk janë pjesë e rrjeteve europiane.

“Porti i thatë i cili do të ndërtohet në Prishtinë, kemi një lajm tjetër për të pasi tashmë ne kemi gati studimin e fizibilitetit për projektin paraprak të linjës Durrës-Prishtinë me gjatësi 105 kilometra, duke ndërlidhur kështu Shqipërinë në disa prej pikave dalëse, pra kufijve tanë me vendet fqinje. Deri tani ne kemi kërkuar bashkëpunimin e partnerëve ndërkombëtare për financimin e projekteve hekurudhore, megjithatë ne besojmë që ka ardhur koha që Qeveria Shqiptare mund të mundësojë edhe një pjesë të këtyre financimeve, pra për linjat e brendshme sidomos nga buxheti i shtetit. Këtu do të desha të nënvizoja dy projekte të tjera të rëndësishme që është ai që konkretisht do të lidhë aeroportin e Vlorës me qytetin e Vlorës, duke qenë që një aeroport i atij kapaciteti, një aeroport i cili përmbush të gjitha kushtet e kategorisë 4 E, një aeroport që synon të jetë një nga aeroportet më të mëdha të rajonit tonë, duhet patjetër të jetë i ndërlidhur me sistem hekurudhor me qytetin pritës, atë të Vlorës. Nga ana tjetër, gjithashtu po punojmë për fizibilitetin e linjës së dytë, atë që lidh qytetin e Vlorës me Rrogozhinën, duke e bërë kështu një pjesë të ndërlidhur me të gjitha pjesët e tjera të hekurudhës që sot jemi duke prezantuar”, – beri me dije Belinda Balluku.

Vetëm pak ditë pas ketyre deklaratave, Hekurudha Shqiptare hapi tenderin për studimin dhe hartimin e projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore Rrogozhinë – Vlorë, si dhe projektimin e vijës së re hekurudhore që do të lidhë aeroportin e Vlorës me Vlorën.

Hekurudha Shqiptare ka hapur tenderin për studimin dhe hartimin e projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore Rrogozhinë – Vlorë, si dhe projektimin e vijës së re hekurudhore që do të lidhë aeroportin e Vlorës me Vlorën. Sipas dokumenteve të tenderit, linja ekzistuese Rrogozhinë-Vlorë me gjatësi 84.27 km, funksionon nën kapacitetin optimal për shkak të infrastrukturës së vjetëruar dhe nevojës për përmirësime të thella. Ndërkohë që, ndërtimi i aeroportit të Vlorës krijon një mundësi të madhe për zhvillimin ekonomik dhe turistik të rajonit. Për këtë arsye, është e domosdoshme ndërtimi i një linje të re hekurudhore për të lidhur qytetin e Vlorës me këtë aeroport. “Kjo lidhje do të garantojë transport efikas për pasagjerët dhe do të rrisë atraktivitetin e rajonit për investime dhe turizëm”, – thuhet ndër të tjera në dokumentet e tenderit.

Kompania që do të fitojë tenderin do të duhet të hartojë një projekt zbatimi për një linjë hekurudhore elektrike me shpejtësi deri në 120 km/orë. Po ashtu, hekurudha duhet të jetë sipas standardeve të kategorisë UIC D4 me ngarkesë 22.5 ton për aks, dhe ngarkese gjatësore 8,0 t/m dhe mundësinë e drejtimit të trenave me gjatësi prej 740 m (mundësi për shkëmbim te trenave).

Sipas Hekurudhës Shqiptare zbatimi i këtij projekti synon të ofrojë një shërbim të kombinuar të transportit hekurudhor me transportin ajror, duke lehtësuar aksesin e udhëtarëve në aeroport në mënyrë më të shpejtë, të sigurt dhe më të qëndrueshme. Gjithashtu, një nga objektivat kryesore është rritja e sigurisë së lëvizjes për udhëtarët, duke reduktuar rrezikun e aksidenteve.

Me këto projekte në zhvillim buxheti për transportin hekurudhor për vitin 2025 arrin në 550 mln euro.

Buxheti për sektorin hekurudhor do të pësojë rritje me 75 mln euro gjatë vitit 2025. Sipas dokumentit të depozituar në Kuvend financimi arrin në 550 mln euro, nga 475 mln euro që ishte këtë vit. Pjesa dërrmuese e fondeve janë financim i huaj, duke përfshirë grantet dhe kreditë. Në total investimet me financim të huaj arrijnë në rreth 500 mln euro, nga të cilat 150 mln euro janë grante nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim apo Banka Evropiane e Investimeve.

Në total janë 3 projekte që do të financohen, ndonëse janë ndarë në 6 zëra të ndryshëm. Projekti i parë është linja hekurudhore Tiranë – Durrës – Rinas, duke përfshirë ndërtimin e godinave të stacioneve dhe elektrifikimin e saj, me një vlerë prej rreth 350 mln euro. Një tjetër projekt është hekurudha Vorë – Hani i Hotit, për të cilin janë akorduar 100 mln euro. Ndërkohë që, projekti i tretë është “Rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës – Rrogozhinë, me 50 mln euro.

Ndërkaq, përmes financimit të brendshëm është akorduar vlera e nevojshme për mbulimin e TVSH-së, sipas kontratave të kredive të lidhura për 2 projektet e para.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *