Duke filluar nga 3 korriku, kompania Wizz Air do të nisë fluturimet në linjën Rinas Trieste. Lajmin e ka bërë të ditur Aeroporti i Triestes përmes një postimi në faqen zyrtare në facebook.
Sipas njoftimit, fluturimet do të jenë dy herë në javë, të hënë dhe të premten. Nisja nga Trieste për të dyja ditët është në orën 20:55 minuta nga Aeroporti i Ronchit dhe fluturimi zgjat dy orë duke mbërritur në Rinas në orën 22:35 minuta.
Në krahun tjetër në po të njëjtat ditë, nisja nga Rinasi është në 18:35 minuta dhe mbërritja në Triestë në orën 20:20 minuta. Aktualisht prenotimi i një bilete Trieste-Rinas kushton 70 euro vajtje ardhje.
Zgjerimi i industrisë së turizmit në Shqipëri po krijon efekte zinxhir edhe në bizneset e lidhura me fushën e udhëtimeve. Së fundmi, Wizz Air shtoi me 2 avionë të tjerë flotën e saj në Shqipëri duke e çuar numrin total në 10 avionë. Aktualisht kompania operon 49 linja nga Rinasi për 15 vende të ndryshme, ndërkohë që numri i pasagjerëve vazhdon të rritet me shpejtësi.