Tregu i brendshëm i letrave me vlerë të qeverisë po përballet me një risi të pashënuar më parë; blerjen e borxhit të brendshëm të qeverisë nga jo rezidentët. Banka e Shqipërisë raportoi se bankat dhe fondet e huaja blenë mbi 145 milionë euro borxh të qeverisë shqiptare gjatë vitit të kaluar.
“Ndryshe nga vitet e mëparshme, gjatë vitit 2024 është vërejtur një pjesëmarrje aktive e jorezidentëve në tregun e titujve të qeverisë. Gjatë vitit 2024, jorezidentët blenë rreth 14.4 miliardë lekë tituj qeveritarë, duke përballuar rreth 29% të shtesës së huamarrjes së brendshme,” thuhet në raportin e Politikës Monetare për tremujorin e parë të këtij viti.
Deri më tani borxhi i brendshëm i qeverisë shqiptare ka qenë domain ekskluziv i aktorëve vendas. Kjo pasi të gjitha bonot e thesarit apo obligacionet afatgjata të emetuara nga qeveria për të marrë borxh në lekë janë blerë nga bankat, fondet apo individët vendas.
Hyrja për herë të parë e të huajve në ankandet e borxhit që qeveria shqiptare emeton në monedhën vendase tregon rritje të besimit tek ekonomia dhe monedha e lekut. Megjithatë mbetet për t’u parë nëse ai i vitit të kaluar ishte vetëm një rast i izoluar apo do të jetë tendencë.
Hyrja e të huajve në tregun e brendshëm të borxhit bën më shumë presion për uljen e normave të interesit me të cilat qeveria merr borxh nga tregu vendas. Paralelisht ai është dhe një instrument për diversifikimin e mbajtësëve të borxhit sovran, i cili në pjesën dërrmuese të tij zotërohet nga bankat.