30 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Rritja e rrogave dhe mungesa e krahut të punës po e zhvendosin ekonominë drejt kapitalit

Klodian Tomorri
Kur fabrika e tullave në Maminas iu nënshtrua rinovimit total disa vite më parë, mbajtja e saj në kapacitet të plotë kërkonte mesatarisht 80 deri në 100 punonjës të angazhuar me kohë të plotë në proceset prodhuese. Por gjërat ndryshuan vitin e kaluar, kur Kid Alb vendosi të automatizojë tërësisht prodhimin me krah robotikë. Si rezultat, nga 80-100 vetë, tashmë fabrika funksionon me 10 punonjës.

Ai i fabrikës së tullave në Maminas nuk është një rast i izoluar. Në industrinë e prodhimit të këpucëve, një sërë fabrikash po automatizojnë gjithmonë e më shumë proceset e prodhimit duke zëvëndësuar punën me kapital. Në sektorin financiar sinjalet kanë kohë që janë shfaqur. Ndërsa në dy-tre vitet e fundit, fenomeni është shtrirë thuajse kudo në ekonomi. Arsyeja është e thjeshtë. Tashmë kapitali është bërë më i lirë se puna.

Për shkak të rritjes së ndjeshme të rrogave dhe mungesës së theksuar të fuqisë punëtore, bizneset shqiptare po rendin drejt automatizimit të prodhimit. Të gjithë numrat ccojnë në këtë drejtim, pavarësisht natyrës primitive të ekonomisë shqiptare.

Krahasuar me vitin 2019, importet e makineri pajisjeve nga jashtë janë rritur me rreth 56 për qind, nga 138 miliardë lekë që ishin, në 213 miliardë lekë vitin e kaluar. Tendenca e rritjes ka vazhduar edhe gjatë këtij viti. Në katër muajt e parë të vitit importet totale ishin thuajse në të njëjtat nivele me ato të një viti më parë, rreth 284 miliardë. Por importi i makineri pajisjeve u rrit me 16.5 për qind. Paralelisht në tre vitet e fundit, norma e rritjes së investimeve në ekonomi ka qenë më e larta që nga viti 2010.

Nëse në vitin 2019, bizneset shqiptare po investonin 17 për qind të Prodhimit Kombëtar, këtë vit shifra e investimeve private në ekonomi pritet të arrijë në 20 për qind e Prodhimit Kombëtar. Ky është qartazi një intensifikim kaskadë kapitali. Shtrëngimi i fortë i tregut të punës ka ndryshuar ekulibrin e faktorëve të prodhimit në ekonomi dhe dilema e përhershme e biznesit “më mirë 10 lopata apo një eskavator” tani po anon nga ky i fundit.

Pasi u munduan dëshpërmisht për vite të tëra të gjenin krah të lirë pune nga Bangladeshi deri në Filipine, duket se një pjesë e bizneseve shqiptare tashmë kanë gjetur një zgjidhje tjetër. Automatizimin. Provat e kësaj zgjidhje janë kudo. Nga automatet e bankave në rrugë tek krahët robotikë në fabrika apo dhe dixhitalizimi në sektorin e shërbimeve.

Parashikimet sugjerojnë se zëvendësimi i punës me kapital në ekonomi do të vazhdojë të thellohet. Përparimi teknologjik dhe zhvillimet intensive në rrafshin dixhital ccojnë në këtë drejtim. Ky është një ndryshim me pasoja të mëdha për ekonominë. Teorikisht intensifikimi i kapitalit mund të rrisë produktivitetin dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare. Por ky ndryshim shumë shpejt do të shtrojë dhe sfida jo të vogla sociale.

Tani për tani, Shqipëria po sheh vetëm forcat e para kundërvepruese ndaj shtrëngimit të tregut të punës, atij mekanizmi që prodhoi rritjen e shpejtë të rrogave.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *