29 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Rrogë më të madhe edhe se Dumani/ Drejtorët e KAYO-s me paga sheikësh, deri në 70 mijë euro në vit

Drejtuesit e shoqërisë shtetërore të prodhimit të armëve do të paguhen me rroga të majme, të cilat kalojnë mbi 5500 euro në muaj. Qeveria ka dorëzuar në Parlament projektligjin për ngritjen e kompanisë punlike që do të rigjallërojë industrinë ushtarake në vend. E pagëzuar me emrin Kayo, shoqëria do të ketë si objekt rivënien në punë të kapaciteteve prodhuese ushtarake të vendit.

Bashkangjitur draftit, qeveria ka dërguar në parlament edhe kostot administrative të shoqërisë së re që do të ngrihet, përfshirë pagat e drejtuesve të saj. Sipas tabelave, drejtori i përgjithshëm i KAYO-s do të paguhet 564 mijë lekë në muaj, zëvendësdrejtori i saj do të paguhet 454 mijë lekë në muaj, ndërsa 4 drejtorët e drejtorive do të paguhen secili nga 509 mijë lekë në muaj.

Vetëm për stafin drejtues prej 6 vetash, shoqëria do të paguajë mbi 300 mijë euro rroga në vit, ndërkohë që për përgjegjësit e sektorit dhe ekspertët rrogat do të jenë nga 344 mijë lekë në muaj.

Qeveria ka parashikuar që fillimisht të financojë ngritjen e shoqërisë me një buxhet prej 3 milionë eurosh. “Pas momentit të parë të themelimit dhe ngritjes së kapaciteteve të saj, të ardhurat e siguruara nga aktiviteti dhe shërbimet e ofruara do të përbëjnë burimin të rëndësishëm të financimit,” thuhet në draft.

Gjithashtu, mund të shërbejnë si burim financimi edhe donacionet apo burime të tjera të lejuara dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi. Si burim financimi mund të shërbejë edhe financimi nga institucione financiare përmes borxhit, duke e kushtëzuar këtë me miratimin paraprak të Këshillit të Ministrave.

Nga ana tjetër, parashikohet krijimi i një fondi ad hoc nga Këshilli i Ministrave, me qëllim mbështetjen e operacioneve të veçanta të Shoqërisë. Operacionet specifike që do të mbështetet nëpërmjet këtij fondi do të miratohen rast pas rasti nga Këshilli i Ministrave, bazuar në vendimin e Komitetit Ndërministror të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Funksionet e shoqërisë

Kayo sh.a do të ketë si funksion prodhimin, riparimin, demilitarizimin dhe tregtimin e armëve dhe pjesëve të armëve, përfshirë armët ushtarake, municionet, teknologjitë dhe pajisjet ushtarake dhe çdo aktivitet i lidhur më këtë veprimtari.

Në çdo rast, ky funksion ushtrohet në përputhje me politikat kombëtare të sigurisë dhe mbrojtjes, të politikave shtetërore të rritjes së kapaciteteve ushtarake, si dhe zhvillimit të industrisë ushtarake.

Po kështu shoqëria do të bashkëpunojë me Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë për fuqizimin dhe rritjen e kapaciteteve të tyre ushtarake, nëpërmjet sigurimit të armëve, teknologjive dhe pajisjeve ushtarake në cilësinë e shoqërisë si furnizues, agjent ose të autoritetit kontraktor;

Në lojë edhe privatët
Por ndonëse prodhimi i armëve do të jetë funksion totalisht ekskluziv i shoqërisë shtetërore Kayo sha, projektligji lë hapësirë që në tregtimin e armëve të përfshihen edhe privatët.

“Kjo kompani do të tregtojë vetë, apo përmes subjekteve të tjera të themeluara prej saj ose në bashkëpunim me subjekte private, armë ushtarake ose pjesë të tyre, municione, teknologji dhe pajisjeve ushtarake, të prodhuara në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Paralelisht në draft, shoqërisë i jepet e drejta të financojë ose bashkëfinancojë projektet e subjekteve për qëllime të veçanta (SPV) të ngritura për realizimin e objektit të veprimtarisë së saj.

Arsyet e qeverisë

Sipas qeverisë, shqipëria ka trashëguar nga e kaluara një industri ushtarake e cila sot nuk ushtron veprimtarinë e saj dhe si rrjedhojë nuk mund t’i përgjigjet kërkesave të FARSH-it. Prej vitesh këto kërkesa dhe nevoja plotësohen në tregun ndërkombëtar.

Nga ana tjetër, dinamika gjeopolitike e dy viteve të fundit ka sfiduar bazën industriale globale të mbrojtjes, duke shkaktuar ndërprerje në zinxhirët e furnizimit, mungesë të fuqisë punëtore, shoqëruar kjo edhe me një kërkesë tepër të lartë globale për sisteme armatimesh dhe municionesh të kalibrave të ndryshëm.

Shqipëria, ashtu edhe si të gjitha vendet e tjera aleate, ka si detyrim të rrisë kapacitetet operacionale dhe nivelin e rezervës në municione dhe armatime, për t’iu përgjigjur ndryshimit të vazhdueshëm të situatës së sigurisë dhe mbështetur ekzekutimin e “familjes së planeve” të shkurajimit dhe mbrojtjes në zonën euroatlantike.

Përveç një detyrimi të tillë, për kushtet aktuale, angazhimi në fuqizimin e një industrie të tillë dhe aftësia për të qenë konkurrent në këtë treg, mund të konsiderohet edhe si një aktivitet fitimprurës për ekonominë e vendit.

Në këtë mënyrë, përmes krijimit të një shoqërie shtetërore synohet shfrytëzimi i kapaciteteve industriale të trashëguara, sikurse edhe integrimi në proceset e punës edhe i teknologjive të reja dhe inovacioneve. Shqipëria rrjedhimisht do të ndërtojë një efekt deterence, duke rritur pozicionimin strategjik në rajon. Paralelisht kjo do të kontribuojë në rritjen dhe zhvillimin ekonomik, duke e bërë industrinë e mbrojtjes një motor mbështetës për përparimin.

Shoqëria shtetërore që synohet të krijohet më këtë projektligj, do të ketë të gjitha kapacitetet e saj juridike dhe financiare për të funksionuar në përputhje me objektivat që i cakton ky projektligj për zhvillimin e industrisë ushtarake në vend.

Si përfundim, synimi strategjik për modernizimin e industrisë së mbrojtjes në përputhshmëri me standardet e NATO-s është jo vetëm i nevojshëm për të rritur kapacitetet mbrojtëse të Shqipërisë, por edhe për të forcuar pozicionin strategjik të vendit në rajon dhe në skenën ndërkombëtare të sigurisë, si dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *