27 Janar, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

Rrogë për studentët dhe banesa për ushtarakët e pastrehë, qeveria ndryshon statusin e ushtarakëve

Studentët që ndjekin akademinë ushtarake brenda apo jashtë vendit do të përfitojnë pagë mujore të barabartë me pagën e ushtarit të parë. Ministria e Mbrojtjes ka hedhur për konsultim publik një projektligj, i cili ndryshon statusin e ushtarakut duke shtuar përfitimet financiare për kategori. Përveç studentëve, përfitimet rriten edhe për ushtarakët aktivë.

Sipas draftit, ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura, të cilët nuk kanë banesë në pronësi në emër të tyre dhe anëtarëve të familjes sipas certifikatës familjare, u ofrohet banesë në përdorim në objektet ekzistuese të përshtatura për strehim apo në objektet e reja të ndërtuara për qëllime strehimi nga Ministria e Mbrojtjes.

Kriteret, procedurat për ndërtimin e objekteve për strehim apo përshtatjen e objekteve ekzistuese ushtarake, si dhe mënyra e përdorimit të tyre nga ushtarakët aktivë do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Ndërkohë drafti përcakton që veç shtesës së gradës, ushtarakët aktivë do të përfitojnë shtesë page edhe për vjetërsi pune. Ndërsa kur largohen nga shërbimi aktiv, ata kanë të drejtë të përfitojnë deri në 15 paga për ushtarët dhe marinarët, 20 paga për nënoficerët dhe 25 paga për oficerët.

Sipas relacionit të ligjit, përfitime shtesë do të ketë edhe për trajtimin shëndetësor të ushtarakëve dhe familjarëve të tyre. Në relacion ministra e Mbrojtjes përllogarit se ky projektligj do të ketë një efekt financiar me gati 18 milionë euro në vit për buxhetin e shtetit, të cilat shkojnë si përfitime shtesë për ushtarakët.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *