28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Rruga Korçë-Ersekë në vend numëro/ Shembja ende pa shkak dhe pa zgjidhje

Pesë muaj pas shembjes së rrugës Korçë-Ersekë në terren asgjë s’ka ndryshuar. Shembja masive që e bëri të pakalueshme rrugën në Qafën e Qarrit ende nuk ka as përgjegjës dhe as zgjidhje. Autoriteti Rrugor Shqiptar thotë se është duke vlerësuar riparimin e defektit, por refuzon të bëjë të ditur shkakun që solli shembjen e rrugës. Ekspertët thonë se përcaktimi i shkakut është thelbi për ndarjen e përgjegjësisë dhe më tej faturën e dëmit.

Esmeralda Topi

Qershorin e vitit të shkuar banorët e Ersekës prisnin inagurimin e rrugës së re do t’i lidhte kolonjarët me Korçën. Por, veç shkeljes së afateve, në shkurt të këtij viti banorët e zonës u përballën me një situatë të paprecedentë.

Pasditen e 18 shkurtit, në vendin e quajtur Qafa e Qarrit një pjesë e rrugës së re u shemb duke e bërë aksin të pakalueshëm për kolonjarët.

Verifikim

Në fund të muajit maj, Faktoje udhëtoi drejt Ersekës për të parë nga afër ecurinë e punimeve në aksin 35 km që deri më tani ka kushtuar 80 milionë euro.

Në hyrje të rrugës së re, një tabele e vogël lajmëron kalimtarët: “KUJDES! KETU PUNOHET.

Rruga aktualisht nuk është e kalueshme. Masivi me dhe që shihni më poshtë është e vetmja mburojë pas tabelës që pengon kalimin në kantier.

Në vendin ku është shembur rruga, thuajse asgjë nuk ka ndryshuar. Pamja duket e njëjtë me atë të pesë muajve më parë. I vetmi ndryshim që binte në sy ishte devijimi i rrugës për tiu mundësuar punëtorëve dhe makinerive kalimin në kantier përtëj Qafës së Qarrit.

Më 24 maj, po punohej për ndërtimin e një ure fare pranë fundit të rrugës. Kalimi në kantierin e rrugës Korçë-Ersekë ishte i mundur deri në këtë pikë.

Faji jetim …

Ndonëse kanë kaluar pesë muaj nga shembja masive e rrugës Korçë-Ersekë, Autoriteti Rrugor Shqiptar refuzon të bëjë të ditur shkakun e shembjës në vendin e quajtur Qafa e Qarrit.

Pas një sërë komunikimesh përmes koordinatorit për të drejtën e informimit, ARRSH këmbëngul se është në proces vlerësimi për riparimin e defektit. Deri në miratimin e këtij projekti, Autoriteti Rrugor thotë se nuk mund të ndajë përgjigje shteruese.

“Duke qënë se jemi në situatën që ende si është dhënë rrugë miratimit zyrtar të projektit dhe ARRSH menjëherë ka filluar proceduren për miratimin e tij, ju sqarojmë se arsyeja e vonesës për pergjigjie konkrete është pritja si nga ana jonë dhe e juaj për miratimin e projektit për t’iu dhënë nje përgjigje shteruese me pas”, argumenton ARRSH.

Ekspertët shohin të tjera arsye. Përcaktimi i shkakut është thelbi për ndarjen e përgjegjësisë dhe më tej faturën e demit- theksojnë ata.

Për inxhinierin gjeodet Romeo Nazarko, zanafilla e ngjarjes nis me ndryshimin e gjurmës së rrugës.

“U ndryshua gjurma dhe kaloi në një terren jo të qendrushem dhe mbi të gjitha në një terren që ka shumë ujëra nëntokesor. Nga njera anë ujërat nëntokësorë, nga ana tjetër ujërat që vijnë si rezultat i shkrirjes së borës, (sepse është zonë malore) bëhen bashkë dhe gjejnë pikën e dobët duke sjellë pasojën që sollen.”, shpjegon ai.

“Në inxhinieri këto janë njolla që asnjëherë nuk gjejne zgjidhje, por që kërkojnë në mënyrë permanente lekë nga buxheti i shtetit.”, argumenton Nazarko.

Përfundim

Rruga Korçë – Ersekë është gjithsej 35 kilometër e gjatë, standard normal i kategorisë C, me vetëm një korsi. Ndërtimi i aksit u nda në dy lote. Loti i parë me gjatësi 18 kilometra u bë gjatë qeverisjes demokrate me kosto totale 15 milionë euro. Ndërsa loti i dytë me gjatësi 17 kilometra u tenderua nga qeveria aktuale me një vlerë fillestare 5 miliardë lekësh ose gati 48 milionë euro. Por këtë vit, faturës së kripur iu shtuan edhe 5 milionë euro të tjera përmes një procedure modifikimi të kontratës.

Autoriteti Rrugor Shqiptar thotë se kosto totale e kësaj rruge parashikohet të kushtojë 8,2 miliardë lekë, apo 80 milionë euro (përfshirë edhe TVSH). Rruga Korçë-Ersekë duhet të përfundonte në qershor të 2023. Por afati u shty me një vit dhe teksa pritej inagurimi, një pjesë e rrugës u ‘shkërmoq’. Çështja është depozituar në SPAK, ndërsa afati i ri për përurimin e rrugës është shtyrë në prag të zgjedhjeve 2025. 

Faktoje.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *