26 Dhjetor, 2024
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

“Rrugë që mbetën rrugëve”, 3.5 milionë euro të tjera për Qukës – Qafë Plloçë. Do inaugurohet në 2025-ën?!

Nga Voxnews.al

Pesëmbëdhjetë vite më parë filloi së ndërtuari rruga Qukës – Qafë Plloçë, e cila synonte që qarku i Korçës të afrohej me Tiranën. Paratë e hedhura duket se kanë shkuar dëm, pasi nga viti në vit, qeveria ka akorduar dhjetëra miliona euro shtesë.

Me këto para’ synohej që rruga të përfundonte, teksa shtetarët kanë dhënë afate për inaugurimin, por deri më sot të gjithë kanë “gënjyer”. Aktualisht, afati për inaugurimin është dhënë në vitin 2025, pa specifikuar edhe muajin. Por, a do të mbahet “premtimi” nga drejtuesit aktualë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Drejtorisë së Rrugëve?!

Qeveria nga një anë premton hapje dhe nga ana tjetër vijon të shtojë fondet. Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur “thesin”, ku pas tenderëve për Elbasan – Rrogozhinë dhe Fier – Ballsh, radha i ka ardhur edhe shtesave për këtë segment.

“Rrugë që mbetën rrugëve”, 3.5 milionë euro

Shpallja e tenderit të ri për rrugën Qukës – Qafë Plloçë, me vlerë rreth 3.5 milionë euro

 

Drejtori Gentian Gjyli ka firmosur tenderin me objekt “plotësim i punimeve në segmentin rrugor Qukës – Qafë Plloçë”, teksa bëhet fjalë për punime ndërtimi për autostrada dhe rrugë. Fondi limit i kësaj procedure është 335.957.708 lekë pa TVSH, ose rreth 3.5 milionë euro, teksa kohëzgjatja e kontratës/marrëveshjes kuadër ose afati për zbatimin e saj është 6 muaj.

Pra, do të duhen minimalisht edhe 6 muaj të tjerë për këtë rrugë! Procedura do të bëhet në datën 13 dhjetor, pas disa javësh do bëhet shpallja e fituesit dhe më vonë do lidhet kontrata. Me këto ritme duket se kontrata do lidhet në muajt e para të vitit 2025 dhe përfundimi parashikohet të realizohet në verën e vitit 2025. Do e përurojnë sërish në 2025-ën?!

“Rrugë që mbetën rrugëve”, 3.5 milionë euro

Autoriteti Rrugor Shqiptar shkruan se edhe paratë e shtesës së kontratës nuk e rregulluan segmentin

Abuzimet me rrugën Qukës – Qafë Plloçë janë pranuar edhe nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, i cili në dokumente ka bërë edhe një relacion, “mbi verifikimin e punimeve të mbetura në objektin plotësimi i punimeve në segmentin rrugor Qukës – Qafë Plloçë – Loti 0″.

Në dokumente shkruhet se, bazuar në urdhërin e drejtorit të përgjithshëm me numër 300, datë 01.10.2024, grupi i punës bëri verifikimin e punimeve të mbetura. “Punimet në objektin ‘Ndërtim rruga Qukës – Qafë Plloçë’, loti 1kanë filluar në qershor të vitit 2009 dhe kanë përfunduar në dhjetor të vitit 2014. Projektin e këtij segmenti rrugor është paraqitur pranë ARRSH në vitin 2008 nga Komuna Qukës dhe është hartuar nga firma projektuese ‘SPHAERA’. Gjatë zbatimit të punimeve ndodhi një rreshqitje masive ku përveç fshatit që ishte në krahun e majtë të rrugës u dëmtua në një shkallë të konsiderueshme dhe trupi i rrugës, muret pritës prej betoni, veprat e artit si tombino etj” thuhet në këto dokumente.

Më tej vijon se, si rezultat i këtij fenomeni të rrëshqitjes u bë spostimi i aksit në një gjatësi rreth 800ml, i cili kishte një kosto shtesë prej 20% të vlerës së kontratës. “Theksojmë se dhe me fondet shtesë, objekti nuk përfundoi 100% dhe nuk u vendos në shfrytëzim, pasi mbetën pa u realizuar shtresat rrugore, sinjalistika horizontale, vertikale, siguria rrugore, disa elemente të urës, kunetat e betonit, kanalet, fibra optike. Grupi i punës doli në përfundimin se në këtë lot kanë mbetur pa realizuar shtresat rrugore, shtresa e veshjes (tapeti) 5 cm, shtresa lidhëse, shtresa e konglomeratit, shtresa bazë.

Ndërkohë, deri në fund të dhjetorit 2022, fatura financiare për ndërtimin ka arritur 270 milionë dollarë. Ky projekt ndërkohë parashikohej të përfundonte me kosto prej 150 milionë USD. E gjithë rruga ka një gjatësi prej rreth 43.3 km, e ndarë në 3 lote.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *