Klodian Tomorri
Kur Armando Picchi ngriti trofeun e kampionatit të 10-të në vitin 1966 kishin kaluar 58 vjet nga lindja e Interit. Por thonë se historisë i pëlqen të përsërisë veten. Dhe kjo nuk mund të ishte më e vërtetë se kaq.
U deshën sërish 58 vite të tjera, që Interi të përmbushte deka-n tjetër të trofeve, e cila tashmë do të përjetësohet në yllin e dytë të fanelës me ngjyrat zikaltër. Një rrugëtim që kalon nga Interi i Madh i Helenio Herrerës, tek ai i Rekordeve të Trapattonit, Tripletës së Mourinhos dhe në fund “Dy Yjeve” të Simone Inzaghit. Në mesin e tyre, qëndron edhe ai, më i madhi i të gjitha kohërave. Fenomeni.
Kush do ta mendonte? Por ky është Interi. Edhe historinë e ka të çmendur, si kostum të qepur enkas për të. Vite të tëra vuajtje dhe dështime. Pastaj triumfe, që mbeten të papërsëritshme në historinë e futbollit botëror për shkak se nuk arrin t’i bëjë dot askush tjetër. Jo më kot i thonë Interi i Çmendur.
Shumë nga ata që e nisën legjendën sot e shohin nga lart. Shkëmbi Burgnich, Il Cipe Fachetti, Arkitekt Luizito dhe Këmba e Majtë e Zotit tani janë të gjithë atje. Pak kohë më parë iu bashkua dhe Andy, gjermani me “këmbët e hekurta”. Të përjetësuar në yje, nga ku shohin Yllin e Dytë që qendiset në fanelën e tyre. Asaj fanele, e cila tashmë vishet nga të tjerë, por që ka gjithmonë të njëjtën madhështi si në fillim.
Kapiten Picchi ndoshta tani buzëqesh nga lart. Kur ai dhe shokët e tij mahnisnin Europën, një tjetër kapiten nuk kishte lindur akoma. Madje do të duheshin dekada, derisa diku në lagjet e varfra të Bahia Blancas të lindte një pasardhës i denjtë për të mbajtur shiritin e Armandinos dhe të shkruante emrin e tij në zemrat e miliona njerëzve.
Por kapitenët kalojnë. Ashtu si brezat. Ajo që mbetet në përjetësi, është magjia e legjendës. Tashmë me dy yje, të cilët nga sot do të shndrijnë fort në ngjyrat më të bukura të botës.
I’m 2 Stars.