Drejtori i Përgjithshëm i Ryanair Michael O’Leary deklaroi se gjigandi botëror i fluturimeve loë cost po shqyrton seriozisht mundësinë për të investuar më shumë në Shqipëri. Gjatë një interviste në CNN, O’Leary tha se Shqipëria është një nga tregjet me rritjen më të madhe të fluturimeve.
“Tregjet me rritjen më të shpejtë për momentin janë Shqipëria dhe Maroku, që tashmë janë më lirë si destinacione sesa Greqia apo Ishujt Kanarie. Shqipëria është një destinacion që po njeh rritje të madhe turistike dhe kjo është diçka që ne e shohim shumë seriozisht për të investuar më tej,” u shpreh O’Leary gjatë vizitës së tij në Tiranë.
Ryainair filloi fluturimet nga Shqipëria në tetor të vitit 2023. Që nga ajo kohë kompania ka rritur ndjeshëm fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës.
Sipas O’Leary çelësi i suksesit për zgjerimin e Aeroportit të Rinasit kanë qenë taksat e ulëta dhe rritja e investimeve nga grupi Kastrati.
Së fundmi, kompania me bazë në Irlandë prezantoi programin e verës, sipas të cilit parashikon mbi 320 fluturime javore nga Tirana drejt 23 destinacioneve të botës, duke shtuar edhe dy destinacione të reja. Vitin e kaluar Ryanair arriti një rekord prej 200 milionë pasagjerësh.