Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacioni shpalli këtë të martë tenderin e radhës për mirëmbajtjen me afat 2 vjet të sistemit e-receta. Ky është sistemi që komandon referimin e pacientëve online tek mjeku specialist dhe gjithë procedurën e lëshimit elektronik të recetave deri tek marrja e ilaçeve në farmaci.
Ky është një tender që nuk ka asnjë kosto investimi apo blerje pajisjesh. E gjithë vlera e tij është mirëmbajtje, pra punë. Sipas dokumentave, fondi limit është përcaktuar 199.5 milionë lekë ose mbi 1.86 milionë lekë. Kompania private që do të fitojë tenderin duhet te ketë një staf me 9 punonjës të siguruar për të garantuar përmbushjen e kontratës.
Tani dy llogari të thjeshta. Kostoja dy vjeçare prej 199.5 milionë lekësh është e barabartë me 8.3 milionë lekë në muaj. Nëse këtë e pjeston me numrin maksimal të stafit të angazhuar kostoja për një specialist të mirëmbajtjes është 923 mijë lekë ose 8.6 mijë euro në muaj për punonjës.
Pra shteti shqiptar do të paguajë për çdo punonjës të angazhuar në mirëmbajtjen e sistemit e-receta 8 mijë e 600 euro në muaj. Dhe kjo llogari është mbi supozimin se i gjithë stafi prej 9 puonjësish do të jetë i angazhuar me kohë të plotë vetëm për përmbushjen e kësaj kontrate. Nuk ndodh kurrë kështu, por le ta marrim të mirëqenë.
Pyetja është sa punonjës të IT-së janë të deklaruar me rroga 8.6 mijë euro në muaj tek Tatimet? Zero. Sa janë të deklaruar me rrogë 7 mijë euro? Zero. Sa janë me rrogë 6 mijë euro në muaj. Prape zero. Sa me 5 mijë euro? Sërish zero.
Pra mekanizmi është ky. Kompania fituese do të paguhet nga shteti 8.6 mijë euro në muaj për çdo punonjës që do të angazhojë në kontratën e mirëmbajtjes së sistemit e-receta. Vetë kompania e paguan punonjësin në rastin më maksimal të mundshëm 3 mijë euro. Diferenca është fitimi i saj dhe abuzimi, shpërdorimi ose korrupsioni, pak rëndësi ka se çfarë.
Dhe i gjithë ky mekanizëm është shumë lehtë i verifikueshëm. Shteti, i cili i paguan kompanisë 8.6 mijë euro në muaj për çdo punonjës, i ka në Tatime deklarimet e rrogave të kompanisë Infosoft Systems. Kjo është kompania që e fiton gjithmonë këtë tender sepse tek AKSHI çifligjet janë të ndara.
Mjafton të bëjë një kryqëzim të thjeshtë mes kostos që i paguan kompanisë dhe rrogës që kompania i paguan punonjësit. Dhe e ka shumë të lehtë të kuptoj se sa abuzohet. Mos të merret fare me faktin, që verën e vitit të kaluar sistemi nuk funksionoi me javë të tëra, edhe pse mirëmbajtja e tij paguhet tre fish mbi vlerën reale. Ky është sistemi kriminal i tenderave të IT-së, ku as SPAKU nuk guxon të futet.