Kompania Salillari është shpallur fituese në tenderin për ndërtimin e infrastrukturës publike brenda Zonës Teknologjike të Zhvillimit Ekonomik në Kashar. Tenderi i zhvilluar nga Bashkia e Tiranës kishte një fond limit prej 487.5 milionë lekësh ose rreth 4.6 milionë euro. Kompania Salillari ka ofruar ta ndërtojë infrastrukturën publike brenda zonës me 321.8 milionë lekë ose 34 për qind poshtë vlerës së fondit limit.
Në tenderin për ndërtimin e infrastrukturës publike brenda Zonës Teknologjike garuan 13 oferta nga kompani ose bashkime kompanish duke e bërë atë një nga tenderat me më shumë garë, që zhvillojnë institucionet shqiptare. Këto oferta kanë variuar nga 320 milionë lekë deri në 425 milionë lekë dhe Bashkia ka shpallur fitues Salillarin.
Zona e Teknologjisë
Në fund të vitit të kaluar Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për shpalljen “Zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” (TEDA), Tiranë, të një territori me sipërfaqe 35 hektarë dhe shpalljen e Bashkisë së Tiranës si zhvillues të zonës.
Projekti përfshinë zonën e Kasharit në kryeqytet dhe synon tërheqjen e industrisë prodhuese si asaj të automobilëve, teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, pajisjeve elektronike, farmaceutike, agropërpunuese si dhe industrive të tjera që operojnë me standard ndërkombëtare.
Projekti i miratuar nga Komiteti i Investimeve Strategjike në vitin 2020 dhe nga Këshilli i Ministrave, parashikon se periudha e funksionimit të “Zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” (TEDA), Tiranë, të jetë 35 vjet, me të drejtë përsëritjeje deri në 99 vjet.
Sipërfaqet që prek projekti në Yzberisht, Gropaj dhe Kashar i janë nënshtruar shpronësimit ose marrjes në përdorim të përkohshëm për interes publik. Vlera e investimit të projektit me potencial strategjik “TEDA Kashar” parashikohet të jetë 102 milionë e 666 mijë euro.