18 muaj më parë, qeveria njoftoi me bujë lëshimin e dy satelitëve në orbitë që do ta ndihmonin shtetin shqiptar të kontrollonte territorin në disa drejtime, përfshi luftën ndaj ndërtimit të paligjshëm e parcelave të kanabisit, apo mbrojtjen nga emergjencat civile. Sot, kur kontrata 6 milionë dollarë është në gjysmë të afatit, në Tiranë, administrata është ende duke u trajnuar sesi t’i përdorë këto imazhe.
Esiona Konomi
Më 3 janar të vitit të shkuar, kryeministri Rama dhe ministri i Mbrojtjes, ndanë në rrjetet sociale video nga nisja në hapësirë e dy satelitëve Albania 1 dhe Albania 2.
“Shqipëria tani në hapësirë. Sapo është lëshuar nga Cape Canaveral, Florida raketa Falcon 9, misioni i përbashkët i SpaceX Transporter 6 që transporton për në hapësirë edhe satelitët tanë, Albania 1 dhe Albania 2,” –shkroi ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, ndërsa kryeministri e shoqëronte videon me shënimin “Ja edhe kjo, u tha, u bë”.
Kontrata 6 milionë dollarë për këtë shërbim, ishte nënshkruar më herët, në shtator të vitit 2022. Siç thanë atëherë kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes, me këtë kontratë “Shqipëria hyn në një epokë të re të monitorimit të plotë të territorit.”
Niko Peleshi zotohej se imazhet satelitore do të ndihmonin emergjencat civile, turizmin dhe bujqësinë. Ndërsa kryeministri Rama e quajti një “Kryeinspektoriat” që do të luftonte “katet pa leje”, parcelat e kanabisit, dhe paligjshmërinë në tërësi.
Faktoje bëri kërkime pranë institucioneve kryesore, që sipas deklaratave publike duhet të kishin përfituar nga imazhet e dy satelitëve, dhe të kishin vepruar përmes tyre për të luftuar paligjshmërinë apo për të marrë masa në raste të tjera. Verifikimi tregon se përfitimet e institucioneve në 18 muajt e parë të punës së dy satelitëve deri tani janë të vogla. Për më tepër, stafet e tyre ende nuk dinë si t’i lexojnë këto imazhe.
Asnjë kat pa leje nuk u prish me ndihmën e satelitëve
Kur u nënshkrua kontrata me kompaninë “Satellogic”, ndër të tjera, kryeministri Rama tha:
“Ne do të kemi një kryeinspektoriat në qiell, i cili nuk ka emër të përveçëm, i cili nuk ka kushërinj, i cili nuk ka parti dhe i cili ka një sy që i sheh të gjitha…me satelitët nuk do të ketë më mundësi të ndërtohen kate pa leje pa u vënë re në momentin kur sapo nisin, sepse satelitët kanë kapacitetin të shohin çdo volum të ngritur mbi sipërfaqen e tokës me një saktësi që mblidhet në një perimetër prej 70 centimetrash”.
Por kur ka përfunduar gjysma e kontratës tre vjeçare të shërbimit të satelitëve për Shqipërinë, asnjë kat pa leje nuk është prishur me ndihmën e imazheve të prodhuara. Fakt ky i konfirmuar për Faktoje nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.
“Deri më tani IKMT nuk i ka përdorur satelitet në funksion të përmbushjes së misionit të Institucionit për mbrojtjen e territorit”, -pohoi IKMT, në përgjigje të një kërkese për informacion.
Inspektorati i vlerëson të dobishme të dhënat e ofruara nga satelitët, por për momentin stafi nuk di t’i lexojë imazhet.
“Aktualisht jemi në fazën e trajnimit të inspektoreve të IKMT dhe testimit të sistemeve tona të reja për përdorimin e imazheve satelitore nga satelitet Albania 1 dhe Albania 2””,- thekson IKMT.
Sa parcela me drogë u zbuluan?
Në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes ditën e nënshkrimit të kontratës 6 milionë dollarë për 3 vjet shërbim satelitor, ndër të tjera thuhej, se: “Me anë të këtij shërbimi edhe Policia e Shtetit do të ketë të mundur marrjen e informacionit për kultivimin e bimëve narkotike, shfrytëzimin apo prerjen e paligjshme të pyjeve, gjuetinë e paligjshme, shkatërrimin e shtratit të lumenjve, shfrytëzimet e paligjshme të burimeve natyrore në zonat e mbrojtura, kalimin e paligjshëm në pikat kufitare, informacione të cilat do të mundësojnë evidentimin në kohë të akteve kriminale.”
Deri në publikimin e këtij shkrimi, Policia e Shtetit nuk arriti të konfirmojë për Faktoje nëse kishin përdorur imazhet satelitore për të luftuar ndonjë prej paligjshmërive të listuara më sipër nga qeveria.
Bujqësia numëroi serat…
Kur u nënshkrua kontrata, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi listoi një sërë përfitimesh edhe në bujqësi, sektor që e kish drejtuar disa vite më parë.
“Do të marrë informacion mbi peshkimin detar, kontrollin e ujërave ku në raste që konstatohen shkelje të kërkesave ligjore do të marr masa administrative nga Sektori i Inspektimit dhe Kontrolli i Peshkimit. Do të monitorohet rrjeti i kanaleve ujitëse, kulluese, kanalet e ujërave specifikisht në situata me reshje intensive, në mënyrë që të analizohet sipërfaqja e prekur në tokat bujqësore apo në zonat e banuara.”, deklaronte asokohe Peleshi.
Por nga të gjithë këto përfitime të listuara, verifikimet tregojnë se pas 18 mujash në orbitë, i vetmi përfitim për bujqësinë nga shërbimi satelitor është numërimi i serave bujqësore.
“Nëpërmjet imazheve satelitore është krijuar në mënyrë automatike informacioni për 191,157 sera me një sipërfaqe prej 2,189.9ha. Ndërtimi i serrave bujqësore, përgjatë dhjetëvjeçarit të fundit në vendin tonë, ka pasur rritje të dukshme. Përmes shërbimit satelitor ky informacion u krijua brenda pak ditëve duke kursyer shumë kohë (rreth 45 ditë) që shpenzohej duke dixhitalizur mbi orthophoto si dhe duke kursyer një numër prej 3-4 burime njerëzore që angazhoheshin me kohë të plotë”,- informoi Ministria e Bujqësisë.
Punonjësit e këtij institucioni, ashtu sikurse ata të IKMT-së, janë ende nën trajnim për të lexuar pamjet nga dy satelitët.
“Përsa i përket produktet e ofruara nga shërbimet satelitore, MBZHR ka kryer fazën e parë të trajnimeve pranë ASIG si dhe vazhdon të ndjekë fazën tjetër të trajnimeve. Po bën trajnime në bashkëpunim me ASIG për përdorimin e sistemeve të gjeoinformacionit.”- MBZHR.
Emergjencat civile i përdorën satelitët në 4 raste
Satelitët do të jepnin një kontribut kyç në përballimin e emergjencave civile.
“Së pari Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të marrë informacion mbi rrëshqitjet e tokës, lëvizjen e strukturave të rëndësisë së veçantë si: diga, ura, nivelin e ujit në liqene, basene, lumenj, numrin e godinave të shembura, sipërfaqen e zonave të përmbytura, sipërfaqen e zonave të djegura, densitetin e popullsisë, rrugët e bllokuara, sipërfaqet e mbuluara nga bora, trashësia e borës”, – deklaronte ministri Peleshi në shtator të vitit 2022.
Në një vit e gjysmë punë, emergjencat civile i përdorën imazhet satelitore të Albania 1 dhe Albania 2, vetëm katër herë.
Ministria e Mbrojtjes, i tha Faktoje se “Rastet e përdorimit operacional të produkteve të shërbimit satelitor në menaxhimin e emergjencës civile janë 3 zjarre në pyje, 1 përmbytje dhe 1 rrëshqitje dheu.”
Kjo ministri informon se deri më tani, imazhet satelitore i kanë kërkuar dhe i kanë marrë 29 institucione publike.
Çfarë thonë ekspertët?
Siç ka informuar vetë kompania “Satellogic”, monitorimi i Shqipërisë përmes dy satelitëve, nuk është 24 orë.
“Jo domosdoshmërisht 24 orë në ditë. Me 2 satelitët ne mund të marrim imazhe çdo ditë dhe me satelitët plotësues do të marrim imazhe të tjera të të gjithë territorit. Nuk është akoma realitet vëzhgimi i Shqipërisë në çdo minutë të ditës. Çdo 6 orë ne do të mund të marrim imazhe të territorit shqiptar”,- tha Matt Tirman, drejtor për marrëdhëniet tregtare i ‘Satellogic’.
Pikërisht për këtë arsye, eksperti Azmer Duleviç, thotë se këto aplikime të teknologjisë, kanë kufizimet e tyre dhe nuk mund ta ndihmojnë shtetin shqiptar në kohë reale për të luftuar paligjshmëritë apo për të përballuar emergjencat.
“Bëhet fotografimi i imazheve të herëpashershme i sipërfaqeve të ndryshme, por kur për shembull bie zjarr diku, nuk jepet alarmi në kohë reale, sepse sateliti nuk rri 24 orë sipër territorit tonë. Është thënë që do të përdoret edhe për parandalimin e trafiqeve, por kjo është e pavërtetë, sepse këta satelitë nuk japin informacion në kohë reale. Janë siç është aktualisht Google Maps”,-thotë eksperti i teknologjisë, Duleviç.
Ai shton se këta satelitë përdoren për pamjet që mund t’i shërbejnë kryesisht bujqësisë.
“Vendet e vogla rrallëherë hedhin satelitë, për kostot që kanë kundrejt shërbimeve që japin. E gjitha varet nga kapaciteti që kemi për t’i menaxhuar,”- pohon inxhinieri.
Imeldi Sokoli, një planifikues urban, i tha Faktoje se “Problemi i paligjshmërisë së ndërtimeve nuk ka të bëjë me evidentimin e paligjshmërisë ndërtimore, por me zbatimin. Ka bashki që kanë evidentuar çdo ndërtim të paligjshëm, por nuk procedojnë me prishje të ndërtimeve të paligjshme. Në këtë pikë, këto struktura nuk monitorohen dhe shpeshherë janë praktikat korruptive ato që pengojnë prishjen e tyre”.
Sipas inxhinierit, ndërtimi i paligjshëm nuk është zhvilluar prej pamundësisë për të monitoruar terriorin, por sepse mungon vullneti për t’i frenuar ato.
“Minitorimi i paligjshmërisë ndërtimore me anë të satelitëve është një premtim butaforik i Kryeministrit, sepse pagesa kundrejt këtij shërbimi është marramendëse” –tha Sokoli.
Përfundim
Në një vit e gjysmë shërbim, satelitët Albania 1 dhe Albania 2 kanë numëruar serat bujqësore si dhe kanë ndihmuar në 4 raste emergjencat civile. Shërbimi satelitor ka një kontratë 3 vjeçare dhe ne jemi në gjysmë të rrugës. Deri më tani, imazhet i kanë marrë 29 institucione, por punonjësit rezultojnë ende të patrajnuar siç duhet për t’i kuptuar ato. Ndaj, nisur nga verifikimet e kryera dhe informacionet e mbledhura, deklaratën e ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi lidhur me përfitimet e Shqipërisë nga satelitët në orbitë, do ta kategorizojmë si gjysmë të vërtetë.
Faktoje.al