Pas skandalit të mikrokredive, Banka e Shqipërisë propozon ndryshime ligjore për mbrojtjen e konsumatorëve dhe sistemit financiar. Gjatë një seance dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, Guvernatori Gent Sejko tha se është e nevojshme të bëhen ndryshime të disa ligjeve.
“Konkretisht, ne gjykojmë se është e nevojshme të bëhen ndryshime në:
Kodin e Procedurës Civile për rregullimin e të gjitha veprimeve me karakter procedural të përmbaruesve gjyqësorë gjatë ekzekutimit të titujve ekzekutivë;
Hartimin, në bashkëpunim me Bankën Botërore, të një Ligji të posaçëm për mbrojtjen e konsumatorit në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka;
Përkthimin në ligje të ndryshimeve rregullative të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, mbi vendosjen e tavaneve për penalitetet dhe normat e interesit;
Shndërrimin e të gjitha subjekteve financiare jobanka në shoqëri aksionare, me qëllim rritjen e kontrollit të brendshëm dhe organizimin e drejtimit me 2 nivele;
Regjistrimin kontabël vetëm të principalit dhe interesit në rastin e blerjes së portofoleve, të paktën deri në përcaktimin e tavaneve ligjore për normat e intereresit,” tha Guvernatori.
Sipas tij, Banka e Shqipërisë, në vazhdimësi, ka sugjeruar aksione të bashkërenduara për një përmirësim të qenësishëm të të gjithë këtij procesi. Por, nga vetë natyra e tyre, këto aksione kërkojnë përfshirjen edhe të palëve të tjera.