Euro po shkon drejt kuotës 100 lekë, një nivel që deri një vit më parë ishte i paimagjinueshëm për këdo. Por pavarësisht pikiatës dramatike të monedhës europiane në tregun e brendshëm valutor, Banka e Shqipërisë nuk sheh asgjë të pazakontë. Përkundrazi. Sipas guvernatorit Gent Sejko, kjo ecuri e kursit është pasojë normale e zhvillimeve ekonomike.
“Forcimi i kursit të këmbimit të lekut ka pasqyruar përmirësimin e vazhdueshëm të bilancit të shkëmbimeve tregtare e financiare me jashtë, si dhe rritjen e interesit për të kursyer e investuar në monedhën tonë kombëtare.”
Megjithë shqetësimet publike për zhbalancimin e kursit të këmbimit nga hyrja e valutës që buron nga aktivitetet e paligjshme, Banka e Shqipërisë ka qenë konstante në qëndrimin e saj publik, atë se rënia e euros kundrejt lekut është pasojë e shëndetit të ekonomisë shqiptare.
“Hyrja e euros në vend po stimulohet nga flukset e turizmit dhe investimet e huaja. Blerjet e pasurive të paluajtshme nga të huajt dhe remitancat. Për rrjedhojë Banka nuk arsye të ndërhyrje në kursin e këmbimit” tha Sejko.
Sejko tha javën që vjen do të diskutohet efektet e kursit të këmbimit me bankat tregtare dhe shoqatat e eksportit, për të ndihmuar bankat dhe bizneset nga kreditë e këqija për të shikuar mundësi të ristrukturimi.
Sipas tij, tregu i këmbimit monitorohet çdo ore, por ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë janë të përcaktuara në rregullore. Ndërhyrjet bëhen në raste të përcaktuara dhe zakonisht kur ka faktorë spekulative.
Gjithashtu BSH ndërhyn në rast të blerjes së valutës për krijimin e rezervës dhe për këtë ndërhyrje ka një kalendar të përcaktuar paraprakisht. Kemi blerë 120 milionë euro në 6 mujorin e parë dhe do të vazhdojmë blerjet, tha Sejko.
Ndërhyjmë në tregun e këmbimit për të ruajtur stabilitetin e çmimeve, si objektivi ynë kryesor, por zakonisht ndodh në një situatë deflacioniste.
“Ne jemi në një situatë inflacioniste. Pandemia dhe lufta në Ukrainë e përshpejtoi rritjen e çmimeve. Kjo po ndodh në gjithë botën” referoi guvernatori.
Aktualisht një euro po këmbëhet në tregun vendas me 104.55 lekë. Që nga fillimi i këtij viti euro është zhvlerësuar me 11.5 lekë, ndërsa krahasuar me një vit më parë një euro kushton 14.4 lekë ose 12.5 për qind më pak.