Guvernatori i Bankës së Shqipërisë u bën thirrje bankave të marrin masa dhe të respektojnë afatet e caktuara për t’u bërë pjesë e skemave SEPA, në mënyrë që brenda këtij viti të nisin transaksionet dhe pagesat e shpejta dhe me kosto të ulët.
Sistemi bankar duhet të investojë në teknologji, infrastrukturë dhe në trajnime të stafit për t’u bërë pjesë e SEPA brenda tetorit të këtij viti. Kjo iniciativë pritet të ndikojë gjithashtu drejtpërdrejt në rritjen e kënaqësisë së klientit të sektorit bankar, nëpërmjet rritjes së efikasitetit të pagesave ndërkufitare dhe integrimin në sistemin financiar evropian, çka do të përkthehet në transaksione më të shpejta dhe me kosto më efektive në Euro për klientët.
Një tjetër çështje e sjellë në vëmendje ishte kreditimi i ekonomisë, zgjerimi i të cilit është përkthyer si një nga burimet kryesore të mbështetjes së ekonomisë me fonde, si dhe si nxitës i rritjes së konsumit dhe të investimeve në vend. Ky sektor, në tërësi, ka shfaqur një maturi të shtuar e përqasje proaktive ndaj kreditimit të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, megjithatë Sejko u ka kërkuar bankave të vijojnë të japin kredi për ekonominë, por të fokusohen më shumë tek bizneset e vogla e të mesme.
Guvernatori u ndal dhe në rëndësinë e cilësisë së portofoleve të kreditimit, me qëllim ruajtjen e një sektori bankar sa më të shëndetshëm dhe njëkohësisht mbështetës të zhvillimit ekonomik të vendit. Ai u shpreh se qasja e kujdesshme e sektorit gjatë proceseve të financimit është një kusht themelor për forcimin e mëtejshëm të stabilitetit financiar në vend.
Shqiptarja