Ditën që videoja seksuale e një kryebashkiaku rilindas në zyrën e shtetit pushtoi rrjetet sociale, në Tiranë qeveria miratoi legalizimin e kanabisit mjekësor dhe industrial. Çfarë rastësie! Brenda pak orësh Rilindja iu shfaq qytetarëve me ofertën e saj më të mirë. Seks dhe drogë.
Megjithatë koncepti i rastësisë është i diskutueshëm. Një shkrimtar i shquar amerikan thotë se rastësia nuk është agjë tjetër, veçse mekanizmi që na udhëheq në drejtimin, që kemi dashur gjithmonë të shkojmë. Dhe drejtimi i qeverisë ky është.
Nuk është rastësi që në sirtarët e qeverisë sot janë më shumë drafte që legalizojnë veset se sa nisma që përmirësojnë shoqërinë. Ai për amnistinë fiskale sot do të ishte shndërruar në ligj, pa presionin e fortë të ndërkombëtarëve. Drafti tjetër kontrovers i pasaportave të arta po ashtu. Ky i kanabisit, me vendimin e djeshëm të qeverisë, mund të quhet zyrtarisht i miratuar pasi Parlamenti ka kohë që bën vetëm funksionin e noterit.
Tani në ministrinë e Shëndetësisë do të ngrihet një agjenci e posaçme për Cannabisin. Brenda saj do të funksionojë një komision me 7 vetë, i cili do të shpërndajë liçencat tek kompanitë private që do të prodhojnë hashash. Dhe sipas ligjit, në Shqipëri do të jepen liçenca për mbjelljen e deri në 200 hektarëve Cannabis. Pra, kjo është oferta dhe ky është drejtimi. Nga njëri ves në tjetrin.
Ndaj, në gjithë këtë histori, kryetari i dorëhequr i Bashkisë së Kukësit është njeriu me fajin më të vogël. Sepse ai është viktimë e sistemit, siç thoshte dikur kryeministri. Në një vend normal zoti Gjici nuk do ta kishte kurrë mundësinë të kandidonte për kryetar bashkie. Por në sistemin e Rilindjes safetët janë instrument i domosdoshëm për të çuar përpara vizionin qeverisës. Seks dhe drogë. Kur afrohen zgjedhjet, ofertës i shtohet dhe tallavaja. Tani prisni videon e radhës.