Rezultatet financiare të JPMorgan “ishin të forta në tremujorin e tretë”, me fitime, marzhe dhe tregues të bilancit në rritje. Megjithatë, situata globale makroekonomike dhe gjeopolitike sugjeron se “kjo mund të jetë periudha më e rrezikshme që bota ka parë në dekada”. Këtë e tha CEO i JPMorgan, Jamie Dimon, teksa komentoi rezultatet financiare të tremujorit të tretë.
“Aktualisht, konsumatorët dhe bizneset amerikane mbeten të shëndetshme. Megjithatë, tensioni i vazhdueshëm i tregut të punës dhe nivelet jashtëzakonisht të larta të borxhit publik, me deficitin fiskal më të madh ndonjëherë në kohë paqeje, rrisin rrezikun që inflacioni të mbetet i lartë dhe normat e interesit të rriten më tej”, tha ai.
Për më tepër, shpjegoi ai, “ne nuk i dimë ende pasojat afatgjata të shtrëngimit sasior” dhe “luftës në Ukrainë, të cilave u shtohen sulmet e javës së kaluar ndaj Izraelit. Këto mund të ketë ndikime të gjera në tregjet e energjisë, ushqimit, tregtisë globale dhe në marrëdhëniet gjeopolitike”.
Kjo, vazhdoi Dimon, “mund të jetë periudha më e rrezikshme që bota ka parë në dekada. Ndërsa shpresojmë për më të mirën, ne përgatitemi për çdo skenar, kështu që ne mund të ofrojmë gjithmonë rezultate për klientët, pavarësisht nga konteksti në të cilin ata gjenden.”
Sa i përket JPMorgan, Dimon vuri në dukje se “të gjitha linjat e biznesit panë një vrull të vazhdueshëm në tremujor, duke demonstruar forcën e viteve të investimeve dhe vlerën e parimeve tona të qëndrueshmërisë dhe forcës”.