Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit miratoi një ditë më parë lejen e zhvillmit për ndërtimin e një kulle të quajtur “Grand Park Skyline”, me vendndodhje në Rrugën “Adem Jashari”. Kulla do të ngrihet ngjitur me derën e Gardës së Republikës, ne vendin ku sot gjendet ndërtesa katër katëshe e Tirana Bank, ndërsa kompania përfituese e lejes quhet X One shpk.
Edhe pse në njoftimin e rendit të ditës të KKT nuk saktësohen përmesat e objektit, Kapitali ka mësuar se bëhet fjalë për një kullë rreth 35 deri në 40 kate e lartë, e cila do të ngrihet ngjitur me hyrjen kryesore të Parkut të Liqenit Artificial.
Kullat e larta që mbijnë në seri në qendrën e Tiranës, tashmë kanë nisur të gufosin dhe hapësirën e vetme të gjelbërt të kryeqytetit, Parkut të Madh të Liqenit.
X One shpk është një kompani, e cila zotërohet nga tre pronarë. Ata janë Çesk Ivanaj dhe Ylli Ujka, të cilët zotërojnë nga 37 për qind të aksioneve, ndërsa pjesa e mbetur prej 26 për qindësh zotërohet nga biznesmeni Ilir Trebicka.
Ylli Ujka është një biznesmen shqiptar nga Lezha, i cili që nga viti 1997 e deri para pak kohësh ka jetuar në provincën e Vareses në Itali, ku zotëron grupin industrial IDA.
Edi Rama dhe Ylli Ujka
Se fundmi Ujka është kthyer në Atdhe dhe vetëm një muaj më parë ra pre e një mashtrimi, teksa disa persona i morën para në emër të kryetarit të Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu.
Ilir Trebicka është një tjetër biznesmen i madh i ndërtimit, i njohur edhe për miqësinë e tij me kryeministrin Edi Rama, që nga koha kur të dy kanë qenë të angazhuar me basketbollin.
Edi Rama dhe Ilir Trebicka
Zoti Trebicka ka përfituar edhe statusin e investitorit strategjik për një hotel brenda kompleksiy turistik të quajtur “Thymus”, që po ndërton në Dhërmi.