Pas Serbisë dhe Shqipërisë, biznesmeni nga emiratet Muhamed Alabbar është shtrirë në Malin e Zi duke nxjerrë jashtë loje thuajse të gjitha bizneset turistike në plazhin e Ulqinit. Mediat malazese bëjnë të ditur se në ankandin shtetëror për dhënien e plazheve, kompania Eagle Hills Montenegro ka ofruar çmimin më të lartë në çdo raund duke marrë thuajse të gjithë sipërfaqen bregdetare të Ulqinit dhe duke nxjerrë jashtë loje me qindra biznese turistike vendase.
“Masakër”. Kjo është fjala e përdorur nga kryetari i Shoqatës së Qiramarrësve të Plazhit të Ulqinit, Prelja Škrelja, për të përshkruar ngjarjet në ankandin shtetëror në ambientet e Ndërmarrjes Publike për Menaxhimin e Zonës Bregdetare në Budvë për dhënien me qira të një plazhi në komunën më jugore, veçanërisht në Plaza të Madhe.
Shkak për këtë vlerësim është se kompania “Eagle Hills Montenegro”, e mbështetur nga kapitali arab, ka bërë ofertat më të larta financiare për më shumë se dhjetë plazhe në Velika Plaza.
Sipas informacioneve të “Vijesti”, të cilat i ka konfirmuar Škrelja, bëhet fjalë për plazhet ikonë “Saranda”, “Adriatica”, “Imperial”, “Hill”, “Mojito”, “Habana”, “Safari”, “Tropikana”, “Koral”, pjesë e “Pearle Beach”, “Barbose”.
“Kjo nuk mbahet mend, një kompani me garanci absolutisht të dyshimta dhe dokumentacion jo të plotë, që merr bukën e njerëzve, një biznes familjar. Nuk besoj se ky është vendimi përfundimtar, duhet të bjerë. Dhe nuk është e vërtetë që qiramarrësit tanë janë gjysmë mafioz, siç pohon ministri i Planifikimit Hapësinor Slaven Radunoviq.
E turpshme”, ka thënë Škrelja në një deklaratë zyrtare për “VIjesti”.
Sherr
Pas kundërshtive, Eagle Hills Properties tha se do të japë me qira përsëri çdo plazh që ka siguruar në ankandin e fundit të Malit të Zi tek operatorët origjinalë me të njëjtin çmim, duke përfshirë këtu Velika Plaza, 12 km e gjatë, një nga plazhet më të gjata me rërë në Evropë.
Eagle Hills vuri në dukje se vendimi i kryetarit Mohamed Alabbar për t’ua dhënë me qira plazhet ish-operatorëve të tyre lokalë, pasi rezultatet e tenderit të shpallen zyrtarisht, sinjalizon “qasjen e tij ndaj komunitetit për zhvillim, duke u përpjekur për bashkëpunim në të ardhmen dhe mundësi investimi”.
“Bukuria natyrore dhe trashëgimia kulturore e Malit të Zi janë thesare që duhen ruajtur,” u citua të thoshte Alabbar në deklaratën e kompanisë së tij. “Përmes kësaj qasjeje, ne synojmë të përmirësojmë infrastrukturën dhe të lartësojmë përvojën e plazhit, duke siguruar që turizmi dhe zhvillimi të përfitojnë si për komunitetin ashtu edhe për mjedisin.”
Eagle Hills Montenegro u regjistrua më 6 mars 2025, treguan të dhënat nga regjistri i bizneseve të Malit të Zi. Ajo drejtohet nga Hisham Mohamed Ibrahim Soliman dhe është 100% në pronësi të Jaona Investment LLC me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Investimi në Ulqin vjen pasi Eagle Hills po zhvillon një projekt prej 2 miliardë eurosh për ta kthyer portin më të madh të Shqipërisë atë të Durrësit në një marinë luksoze superjahtesh. Prej dy vitesh, në Durrës Marina ka nisur shitja e apartamenteve, edhe pse ato nuk janë ndërtuar.