Stoku i çështjeve për gjykim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionin të Përgjithshëm u rrit me 20.1 për qind vitin e kaluar, teksa gjykata e vetme e Apelit nuk mund të përballojë fluksin e çështjeve të reja duke shtuar më tej malin e madh të dosjeve që presin të gjykohen. Të dhënat janë bërë publike nga vetë Këshilli i Lartë Gjyqësor në raportin vjetor të dorëzuar në Parlament.
Sipas KLGJ-së, në fund të vitit të kaluar numri i çështjeve që presin për gjykim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm arriti në 37 662 çështje nga 31 mijë e 370 çështje që ishin në datën 1 janar 2023.
Kjo ka bërë që koha mesatare për të marrë drejtësi në gjykatën e Apelit të shkojë në gati 8 vjet. Rritja e stokut të çështjeve dhe koha e nevojshme për të marrë drejtësi në Apel është rezultat i shkurtimit të gjykatave të Apelit, por edhe mungesës së gjyqtarëve.
Në 30 janar të vitit të kaluar, hyri në fuqi harta e re gjyqësore, e cila mbylli 5 gjykata Apeli në rrethe duke lënë funksionale vetëm atë të Tiranës. Por sipas raportit të KLGJ, edhe gjykata e vetme e Apelit që ka mbetur për të gjithë Shqipërinë ka mungesa të mëdha në burimet njerëzore, pasi aktualisht është plotësuar vetëm 30 për qind e organikës së gjyqtarëve.
Apeli Administrativ
Por situata është edhe më kritike në gjykatën e Apelit Administrativ, e cila shyrton konfliktet me natyrë tregtare. Gjykatat administrative u ngritën vite më parë me motivin për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për t’i dhënë zgjidhje të shpejta konflikteve administrative të biznesit dhe qytetarëve. Por ligji parashikoi vetëm një gjykatë Apeli, e cila tashmë është e mbytur me dosje të prapambetura.
Sipas raportit të KLGJ-së, aktualisht Gjykata Administrative e Apelit ka një stok prej mbi 23 mijë çështjesh, të cilat presin të gjykohen. Edhe në rastin e Gjykatës Administrative të Apelit, numri i çështjeve stok është rritur me mbi 9 për qind krahasuar me një vit më parë.
KLGJ përllogarit se me malin aktual të dosjeve që presin për gjykim, koha mesatare për të marrë drejtësi në Apelin Administrativ është 14.6 vite. Pra një biznes, i cili kërkon të gjejë drejtësi për një konflikt administrativ duhet të presë mesatarisht 14.6 vite për të gjetur zgjidhje.
Argumenti se gjykata administrative do të përmirësonte klimën e biznesit, në fakt rezulton i përmbysur. Të presësh 15 vjet për të zgjidhur një çështje në gjykatë, praktikisht është bblokim i ekonomisë dhe asgjësim i sipërmarrjes private.