16 Dhjetor, 2024
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

Shpallen fituesit përfundimtarë të fondeve në bujqësi, kualifikohen 14.766 fermerë

Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural ka shpallur listën përfundimtare të fermerëve që do të përfitojnë fonde në bujqësi.

Referuar listës janë në total 14.776  fermerë që do të marrin para, nga 15.591 aplikime që kishin kaluar fazën e parë të përzgjedhjes për 7 masat e Skemës Kombëtare, apo rreth 85 për qind e aplikantëve totalë,  duke përjashtuar mbështetjen me naftë për punime të mekanizuara në bujqësi.

Konkretisht numri më i lartë i fermerëve të kualifikuar i përket mbështetjes për  blegtorinë, për tufën bazë të matrikuluar, të imta dhe gjedhin me mbi 9 mijë fermerë.

Bletaria po ashtu ka pasur interes shumë të lartë ku janë kualifikuar 4318 aplikime.  Ndërkohë, si një masë e futur për herë të parë, duket se interes të shtuar ka pasur edhe për bimët mjekësore,  si dhe masa e mbështetjes për serat. Për masën mbështetje për fermat organike janë kualifikuar 169 aplikantë dhe për certifikimin global GAP 48 aplikantë.

Referuar të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, këtë vit Skema Kombëtarë e Mbështetjes në Bujqësi regjistroi një numër total prej 71.537 aplikimesh, nga të cilat 54.255 ishin për mbështetje me naftë dhe 17.282 fermerë interesuar për të përfituar nga masat e mbështetjes, ku 21 prej tyre ishin Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor dhe 1685 grupime fermerësh. 

Sa i takon skemës së naftës në bujqësi, për vitin 2024 rezulton se përfitues në total janë 52.183 fermerë, të cilët do marrin para cash për të mbuluar shpenzimet për këtë qëllim.

Të dhënat  e detajuara tregojnë se qarku Fier, ku dhe bujqësia është me e zhvilluar,  është ai që kryeson për nga numri i aplikantëve dhe përfituesve, ndjekur nga Qarku i Korçës, Beratit, Shkodrës, Elbasanit dhe Vlorës.

Nga fondet në bujqësi sivjet janë në total rreth 70 mijë përfitues apo 77% të gjithë fermerëve të regjistruar në vend. Fondi fillestar i vënë në dispozicion është 32 milionë euro.

Scan tv

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *