Një shpërthim i fuqishëm është regjistruar rreth orës 14:00 të kësaj të premte në një pikë karburanti “Gega Oil” në autostradën Durrës-Tiranë.
Një autobot ka shpërthyer dhe është përfshirë nga flakët në momentin që po shkarkonte naftën në depozitën e karburantit “Gega Oil”.
Përmes një komunikate për mediat, Policia bëri me dije se si pasojë e shpërthimit kanë mbetur të plagosur dy punonjës të karburantit. Më konkretisht, shtetasit Xh.K., 20 vjeç, banues në Kamëz dhe shtetasi E.P., rreth 35-vjeç, të cilët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Siç shihet edhe në foton e mësipërme, një shtëllungë e madhe tymi ka përfshirë të gjithë zonën në momentin e zjarrit, teksa shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm duke shkatërruar gjithë strukturën ku shkarkohet nafta në pikën e karburantit “Gega Oil”.
Fatmirësisht, zjarri nuk ka përfshirë depozitat e karburantit, pasi është vënë shpejt në kontroll nga forcat zjarrfikëse. Flakët janë shuar tërësisht dhe lëvizja e mjeteve në të dy krahët e autostradës po vijon normalisht.
Dyshohet se shkaku i shpërthimit mund të kenë qenë temperaturat e larta, si dhe një shkëndijë elektrike nga një automjet që ndodhej aty pranë. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi:
Rreth orës 14:00, në autostradën Durrës-Tiranë, në një pikë karburanti, është përfshirë nga flakët një automjet që transporton karburant.
Për pasojë janë lënduar shtetasit Xh.K., 20 vjeç, banues në Kamëz dhe shtetasi E.P., rreth 35-vjeç, (të dy punonjës të karburantit), të cilët janë trasportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Ndërhyrja në kohë e shërbimeve zjarrfikëse dhe Policisë ka izoluar flakët duke shmangur përfshirjen nga zjarri të çisternave me karburant.
Shërbimet e Policisë evakuan në kohë, personat e tjerë që ndodheshin rreth zonës në rrezik.
Zjarri është shuar tërësisht dhe lëvizja e mjeteve në të dy krahët e autostradës po vijon normalisht.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.