30 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Investigim Kryesore Lajme nga vendi

Shpërthen lufta për kockën e fundit të inceneratorit

Klodian Tomorri

Dy ditë më parë, Kontrolli i Lartë i Shtetit publikoi një raport auditi mbi Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara. Raporti konstatonte një sërë shkeljesh në agjenci dhe për këtë rekomandonte shkarkimin e mënjerhershëm të kreut të saj Adrian Koni.

Kapitali.al e publikoi raportin e auditimit, ku konstatimi më i rëndë ishte ai i mungesës së 24 automjeteve të sekuestruara nga krimi. Por gjetjet e raportit kundërshtohen nga agjencia. Burime brenda saj i thanë Kapitali.al se nuk ka asnjë mundësi, madje as teorike, që të humbasin mjetet pasi ato janë marrë në administrim nga Agjencia e Pasurive të Sekuestruara.

Sipas tyre, automjetet për të cilat bën fjalë raporti i KLSH janë ato të sekuestruara por të pagjetura nga organet e ligjit si dhe një kategori tjetër që mbahen të bllokuara në pikat e policisë dhe që nuk janë marrë ende në dorëzim nga AAPS.  

Në fakt, auditi i KLSH kulmon një fushatë të papritur por të gjerë sulmi ndaj Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara. Më parë, ky institucion ishte thuajse tërësisht i panjohur për publikun e gjerë e jo më të bënte lajm. Por gjithcka ndryshoi pasi agjencisë iu ngarkua administrimi i inceneratorit të Tiranës dy muaj e gjysmë më parë. Por a janë të dy këto gjëra të lidhura apo e gjitha është një koicidencë?

Pak javë më parë, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara bëri disa lëvizje të rëndësishme në strukturën e ndërmarrjes së inceneratorit të Tiranës. Kapitali.al ka mësuar se brenda pak ditësh administratori shtetëror ka shkarkuar nga detyra drejtorin e kantierit, menaxherin e landfillit dhe disa roje, të cilët formonin zinxhirin kontrollues të mbetjeve që depozitoheshin në kantier.

I pari, Ferdinant Tarazhi, ishte emëruar në detyrë disa muaj para sekuestrimit të inceneratorit nga Mirel Mërtiri dhe konsiderohej si njeri i besuar i tij. Më parë zoti Tarazhi ka mbajtur postin e drejtorit të monitorimit në ministrinë e Rendit dhe aktualisht ka një hetim të hapur në SPAK për tenderat e ndërtimit të komisariateve. Menaxheri i landfillit po ashtu konsiderohej si njeri i menaxhimit privat të kompanisë.

Menjehërë pas shkarkimit të tyre, mbi Agjencinë e Pasurive të Sekuestruara është bërë presion edhe ballazi për të rikthyer njerëzit e shkarkuar sërish në punë. SPAK është në dijeni të të gjithë ngjarjes. Një burim konfidencial në Prokurorinë e Posaçme i tha Kapitali.al se janë identifikuar edhe personat që kanë ushtruar presion.

Shkarkimet në ndërmarrjen e inceneratorit lidhen me dyshimet për një skandal të madh, që tashmë po hetohet nga SPAK. Atë që ka lidhje me shifrat e dherave dhe inerteve të depozituara në landfill.

Menjëherë sapo inceneratori u vu nën administrim shtetëror u konstatua një rënie dramatike e arkëtimeve nga dherat dhe inertet që depozitojnë ndërtuesit. Një pjesë e kësaj rënieje lidhet me faktin se administrimi shtetëror nuk mund të joshë me bakshishe policët bashkiakë apo inspektorët e mjedisit për të ruajtur gropat e ndërtuesve dhe për t’i detyruar ata të shkojnë me pahir të depozitojnë mbetjet në landfill siç bënte më parë kompania private.

Por përtej këtij shkaku ka dhe një dyshim tjetër. Atë se një pjesë e madhe e inerteve nuk janë regjistruar, por janë paguar cash duke krijuar kështu një kanal financiar që ushqente të njëjtit njerëz që ishin pas inceneratorit.

Lufta për të shtënë në dorë Agjencinë e Pasurive të Sekuestruara është në fakt luftë për të shtënë në dorë menaxhimin e inceneratorit, ose më saktë fluksin e të ardhurave që vjen nga dherat dhe inertet e privatëve. Me sa duket kjo është dhe arsyeja se pse po kërkohet koka e Adrian Konit. Por kjo nuk është beteja e vetme. Tashmë brenda Integrated Energy ka shpërthyer dhe një luftë brenda llojit midis klanit të Mirel Mërtirit dhe atij të Renardo Nallbanit se kush do të mbajë frerët e landfillit.

Me pak fjalë një luftë në shumë fronte për kockën e fundit të inceneratorit. Tani mbetet vetëm për t’u parë se kush do të fitojë. Klanet private apo shteti?  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *